Sport

Albinfo.ch shpall Xherdan Shaqirin, personalitet të Vitit

Përse pikërisht Shaqiri?

Redaksia e portalit albinfo.ch ka vendosur që për personalitet të vitit të shpallë futbollistin Xherdan Shaqiri. Të shpallësh personalitet viti dikë sikur Shaqiri, që është dëshmuar si futbollisti më i mirë i kombëtares zvicerane dhe skuadrës kampione të Zvicrës FC Basel, nuk është diçka që nuk pritet nga një medie shqiptaro-zvicerane.

Shaqiri, fundja, ndonëse vetëm njëzet vjeç, është bartës i shumë çmimeve, mirënjohjeve, shpalljeve nga më të ndryshmet. Nga Zvicra dhe nga bota. Por, shpallja më i miri nga albinfo.ch është njëherësh një shenjë se synimet që ka albinfo në sferën mediale të Zvicrës objektivisht shkojnë në kahun e njëjtë me ato të “xhuxhit magjik”, drejt integrimit me dinjitet të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Megjithatë: Përse pikërisht Shaqiri?

Shaqiri, për shkakun se ai, prej afërsisht dy viteve është në qendër të zhvillimeve në futbollin zviceran e më gjerë. Për kaq kohë ai është më shumë se ylli i pakontestuar i futbollit, që po merr edhe përmasa planetare. Ai, me shokët e tij, shqiptarë dhe të tjerë me prejardhje jtë huaj, po bëhet para së gjithash një simbol për frymën e re që ka sjellë jo vetëm në sportin e këtushëm. Shaqiri, Xhaka, Mehmedi dhe të tjerë yje të brezit të tij, jo vetëm shkëlqejnë në fushë të futbollit, por tregojnë pa komplekse edhe vetëbesimin e tyre të madh. Diçka që ka munguar deri më tash në mesin e sportistëve zviceranë.

Përse pikërisht Shaqiri? Për faktin se ai ka fituar në këto dy vite gjithçka që mund të fitohet në futbollin zviceran. Është bërë kampion me FC Baselin, ka fituar kupën me të njëjtin klub, ka pasur vendin e padiskutueshëm në kombëtaren zvicerane A dhe në atë U21. Me këtë të fundit shkoi deri në finalen evropiane.

Me kombëtaren A ai ka shkëlqyer në veçanti kur, në muajin shtator i shënoi, i vetëm, të tre golat kundër Bullgarisë. Qëlloi kjo madje në një kohë kur fushata kundër shqiptarëve nga disa qarqe politike në Zvicër po mbërrinte kulmin. Tre golat e Shaqirit sollën befas në sipërfaqe fytyrën tjetër të migrantit shqiptar, atë që angazhohet, përpiqet, djersin dhe fiton. Atë që ka sukses dhe e tregon suksesin.

Albinfo më tutje nuk mund të anashkalonte Shaqirin edhe për shumë arsye tjera. Xherdan Shaqiri është zgjedhur verën që shkoi futbollisti zviceran i vitit. Në muajin tetor, lexuesit e gazetës Blick e kanë zgjedhur futbollist të muajit. Në nëntor ai bashkë me Granit Xhakën ka qenë i vetmi futbollist nga Zvicra i nominuar për titullin ndërkombëtar “Golden Boy”.

Më tutje, ai u radhit në top dhjetëshen e talenteve më të mëdhenj të rinj, të futbollit të botës. Dhe kulmi erdhi më 5 dhjetor, kur “Shaqq atack” hyri në konkurrencën për 11-shen e futbollit evropian të shpallur nga UEFA. Një e arritur që e barazon atë me yjet më të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror.

Zgjedhja do të bëhet më 18 janar të vitit të ardhshëm por vetë nominimi është nder i madh që i bëhet Shaqirit dhe futbollit të Zvicrës, gjegjësisht frymës së re që ka sjellë Shaqiri me shokë në këtë futboll.

Ndërsa ditë më parë në spektaklin Sport Awards të televizionit publik zviceran, Xherdanit, publiku i Zvicrës i ndau vendin e katërt në mesin e të gjithë sportistëve të Zvicrës.

Dhe a ka vërtetë më nevojë të shtrohet pyetja përse pikërisht Shaqiri? Nëse doni, Shaqiri, është zgjedhur Personalitet i vitit nga albinfo edhe për faktin se ai përjeton lojën që e ngre në nivelin e artit, jeton me të dhe e kërkon me të drejtë suksesin.