Bota

Ambasada e SHBA-së del në Jerusalem më 2019

Kjo datë është më e hershme në krahasim me ato që priteshin kur presidenti Donald Trump deklaroi muajin e shkuar se Jerusalemi ishte kryeqytet i Izraelit

Ambasada e SHBA-së do të largohet nga Tel Avivi drejt Jerusalemit para fundit të vitit 2019, ka thënë zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence.

Kjo datë është më e hershme në krahasim me ato që priteshin kur presidenti Donald Trump deklaroi muajin e shkuar se Jerusalemi ishte kryeqytet i Izraelit dhe urdhëroi nisjen e përgatitjeve për të lëvizur ambasadën.

Pence e bëri këtë deklaratë në një fjalim në parlamentin e Izraelit. Ai u ndërpre nga një grup i deputetëve arabë që protestuan kundër vendimit të Trumpit, transmeton Albinfo.ch.

Statusi i Jerusalemit është në zemër të konfliktit Izrael-Palestinë.

Izraeli e njeh Jerusalemin si kryeqytet “të përjetshëm dhe të pandarë”, ndërsa palestinezët thonë se Jerusalemi Lindor është kryeqytet i shtetit të ardhshëm.