Kosova

Ambasadori zviceran thotë se Kosova duhet të hetojë vrasjen e Ivanoviqit

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, ka bërë homazhe tek trupi i pajetë i Oliver Ivanoviqit në veri të Mitrovicës.

Ai ka thënë për “Klan Kosova”, se hetimin për vrasjen e tij duhet ta bëjë shteti i Kosovës në mënyrë profesionale dhe se sipas tij bashkësia ndërkombëtare thërret për përgjegjësi dhe maturi në këtë kohë që ai e ka quajtur të vështirë 24 orë pas ekzekutimit të Ivanoviqit, përcjell albinfo.ch.

Kjo deklaratë erdhi një ditë pasi u vra Oliver Ivanoviq para selisë së partisë së tij Iniciativa Qytetare SDP në veri të Mitrovicës. Serbia ka kërkuar që të përfshihet në hetimin për vrasjen e tij, derisa kjo mohohet nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se në këtë hetim mund të angazhohet edhe FBI, dhe të ndihmohet rreth këtij rasti.

Oliver Ivanoviq është qëlluar para selisë së partisë së tij dje në mëngjes, derisa hetimet po vazhdojnë. Policia e Kosovës ka ofruar 10 mijë euro, për ata që dinë se kush e ka kryer këtë vrasje.