Kosova

Ambasadorja Breca: Kosova ka dëshmuar vitalitet dhe vullnet të madh për zhvillim

“...për të vlerësuar më objektivisht përparimet e shtetit tonë të ri, duhet të theksohet se Kosova më 1999, ka dalë nga një luftë, e shkatërruar plotësisht nga të gjitha aspektet dhe ajo ka filluar, jo nga zeroja siç thuhet, por nga minus zero”

Në numrin special që albinfo.ch ka përgatitur për nder të dhjetëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krahas personaliteteve me rëndësi nga skena politike, kulturore e sportive, zvicerane dhe kosovare, fjala i është dhënë edhe ambasadores së Republikës së Kosovës në Zvicër, zonjës Nazane Breca. Ajo flet për zhvillimin e Kosovës gjatë këtyre dhjetë viteve, raportet e saj me Zvicrën, për rolin e mërgatës së Kosovës në këto raporte dhe për çështje të tjera që lidhen me Kosovën dhe Zvicrën.

Albinfo.ch: Në kohën kur po e zhvillojmë këtë intervistë, kanë mbetur edhe pak ditë deri më 17 Shkurt, kur shënohet 10-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, dita më e rëndësishme në historinë më të re të vendit. Si e vlerësoni Ju përparimin e Kosovës për një dekadë?

Nazane Breca: Në radhë të parë, për të vlerësuar më objektivisht përparimet e shtetit tonë të ri, i cili tash po i mbushë 10 vjet Pavarësi, duhet të theksohet, domosdoshmërisht, se Kosova më 1999, ka dalë nga një luftë, e shkatërruar plotësisht nga të gjitha aspektet dhe ajo ka filluar, jo nga zeroja siç thuhet, por nga minus zero në shumë drejtime, si ai politik po ashtu edhe ekonomik.

Pra, edhe pse e shkatërruar ekonomikisht dhe me pasoja të rënda në njerëz, Kosova ka pasur vullnetin dhe forcën e jashtëzakonshme që të ringrihet shumë shpejt. Ky është suksesi i parë i madh i saj dhe suksesi tjetër kapital është shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Tash po bëhen 10 vjet nga shpallja e Pavarësisë dhe nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjatë kësaj dekade, pavarësisht vështirësive, Kosova ka arritur përparime të dukshme si në planin politik, ekonomik dhe atë diplomatik. Kemi arritur që të organizojmë zgjedhje të suksesshme dhe duke marrë vlerësime ndërkombëtare për plotësimin e standardeve më të larta demokratike. Themelimin dhe forcimin e Institucioneve demokratike. Është dëshmuar se pavarësia e Kosovës ka kontribuar dhe ka forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe me gjerë. Ka pasur përparime, gjithashtu me rritje të vazhdueshme ekonomike. Kemi ndërtuar një infrastrukturë moderne në komunikacion, siç janë autostradat, pastaj Aeroporti Ndërkombëtar. Është nënshkruar MSA-në dhe ajo po implementohet në mënyrë bilaterale. Në planin diplomatik, edhe pse me rrugën e vështirë të njohjeve bilaterale, Kosova ka arritur që të njihet nga 115 vende të botës dhe me një shtrirje gjeografike në çdo cep të botës. Brenda këtij qarku kohor të ekzistencës së vet si shtet, Kosova sot ka një shtrirje, gjithashtu të gjerë diplomatike.

Zvicra është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën, dhe gjithmonë theksohet se dy vendet kanë marrëdhënie të shkelqyera diplomatike. Sipas jush çfarë i karakterizon këto marrëdhënie mes dy shteteve?

Konfederata e Zvicrës është njëri ndër shtetet e para që e ka njohur shtetin e Kosovës, ndërsa është shteti i parë që e ka hapur ambasadën në Prishtinë. Populli i Kosovës dhe qeveria e saj do të jenë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e madh diplomatik e ushtarak (SWISSCOY), dhe ekonomik (përmes projekteve të ndryshme) në dobi të drejtpërdrejtë të shtetasve të saj. Ambasada e Kosovës, tashmë ka një traditë në shtetin helvetik, dhe në këtë vit bëhen 10 vjet marrëdhënie bilaterale Kosovë-Zvicër. Gjatë këtyre viteve, në mes dy shteteve janë nënshkruar dhe ratifikuar 9 marrëveshje ndërshtetërore: Për ripranim të personave që qëndrojnë të pa autorizuar; Për transferimin e personave të dënuar; Për ndihmë financiare për projektin “Support to Water Task Force”; Për bashkëpunim teknik, financiar dhe ndihmë humanitare; Për shërbime të rregullta ajrore; Për transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe të mallrave; Për mbështetjen e “Inter-Ministerial Water Council”; Për promovimin dhe mbrojtjen reciproke të investimeve dhe për asistencë financiare për projektin “Sewerage Disposal in Southwest Kosovo, Phase III”, në Gjakovë.

 Për këto dy vite sa jeni në krye të misionit diplomatik të Kosovës në Zvicër, cilat projekte janë realizuar në drejtim të thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve?

Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyera me Zvicrën. Ky shtet, është shumë i rëndësishëm për Kosovën, në siguri, zhvillim ekonomik, përparim demokratik, mbështetje politike dhe diplomatike, në nismat e saj, siç ishte shembulli për UNESCO-n, por edhe në nismat tjera, që Kosova do të ketë së shpejti. Në anën tjetër, përveç marrëveshjeve që përmenda më lart, sukses tjetër është Marrëveshja për heqjen e taksës së dyfishtë dhe Marrëveshja për sigurimet shoqërore pensionale, e cila është në përfundim e sipër dhe besojmë se, deri në këtë fundvit, do të ratifikohet nga kuvendet respektive. Ndërsa, në bashkëpunimin Kosovë-Zvicër vazhdojnë të realizohen projekte të ndryshme humanitare që i përmenda më lart, siç është ai për furnizim me ujë, projekti për asistencë financiare në komunën e Gjakovës-faza e III-të, etj.

Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në Zvicër ka edhe një specifikë: Këtu jeton diaspora më e madhe e Kosovës në raport me popullatën e vendit. Për çfarë mund të krenohen kosovarët se kanë ambasadën e tyre në Bernë?

Misioni ynë diplomatik në shtetin helvetik, ka privilegjin e madh, sepse ai përfaqëson, diasporën më të madhe e të fuqishme ekonomikisht të Kosovës. Në statistikat e fundit zvicerane, të publikuara në janar, në Zvicër jetojnë 112.109 qytetarë me dokumente të Republikës së Kosovës, pa i llogaritur këtu ata qytetarë tanë, që kanë shtetësinë zvicerane (natyralizimin). Ndërsa, sipas pohimeve të arsyeshme të medieve zvicerane, nga areali Ballkanik në shtetin helvetik, jetojnë mbi 250 mijë shqiptarë. Krenarinë, për ambasadën e tyre në Bernë dhe konsullatat tona në Cyrih dhe Gjenevë, qytetarët tanë e shprehin edhe hapur. Ata e kuptojnë drejt rolin përfaqësues në planin diplomatik dhe në përkrahje të drejtpërdrejtë me shërbimet ndaj të tyre. Ambasada ka bashkëpunim të ngushtë me shoqatat dhe rrjetet e ndryshme të shqiptarëve, që tashmë janë të organizuara në shoqata profesionale, siç janë Rrjeti i Bizneseve Shqiptare, Unioni i Futbollit, Shoqata e Shkrimtarëve, Shoqata e bankierëve; Unioni i Studentëve, Organizata e inxhinierëve, Instituti ISEAL, funksionon me dekada Universiteti Popullor në Gjenevë, LAPSH-i, Shkolla e Vallëzimit SHOTA, shoqëri tjera të suksesshme kulturore-artistike, shoqata të ndryshme mërgimtarësh në kantone të ndryshme, e bashkime të tjera të rëndësishme. Në Cyrih është edhe Qendra Kulturore e Kosovës (e MeD), me të cilën. gjithashtu kemi bashkëpunim të përhershëm.

Pavarësisht se sa Ambasada e Kosovës, u ka ndihmuar dhe u ndihmon, (Ambasada e ka mision), është ambasada që krenohet vazhdimisht me diasporën tonë aktive, ndërtuese, krijuese, integruese dhe përfaqësuese në shoqërinë zvicerane.

Çfarë imazhi gëzon Kosova si shtet në Zvicër, përsa i përket aftësisë për të realizuar interesa në politikën e jashtme, tërheqjen e investimeve por edhe për çështje të përditshme me të cilat ndeshen kosovarët në shtetin helvetik?

Vet fakti i nënshkrimit dhe ratifikimit të 10 marrëveshjeve dhe asaj që do të përfundohet, siç i përmenda më lart, tregon për imazh real të marrëdhënieve dypalëshe. Kjo tregon qartë se Zvicra, shtetin e Kosovës e ka në prioritetet e saj dhe vazhdon me projektet konkrete, që t’i ndihmojë shtetit tonë të ri në planin e qëndrueshmërisë e të sigurisë dhe në zhvillim ekonomik. Realizimi i interesave dypalëshe zhvillohet dhe finalizohet përmes zbatimit të marrëveshje dypalëshe. Kosova e ka treguar aftësinë e vet në zbatimin e tyre. Siç besojmë ne në fuqinë ekonomike, që ka diaspora jonë në Zvicër, edhe zviceranët besojnë me të drejtë se diaspora jonë në planin ekonomik, do të luajë rol të rëndësishëm në investime kapitale në shtetin e Kosovës.