Kosova

Amerika nuk e përkrah shkëmbimin e territoreve

“Ne nuk e mbështesim shkëmbimin e territorit apo vendosjen e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Prishtinë

Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e përkrahin idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas një reagimi që ka lëshuar ambasada e shtetit më me ndikim në Kosovë, thuhet se SHBA nuk e mbështet asnjë precedent që shkakton tragjedi.

“Ne nuk e mbështesim shkëmbimin e territorit apo vendosjen e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje, por të gjitha palët duhet të jenë kreative në gjetjen e një zgjidhjeje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane në Prishtinë dhënë Radios Evropa e Lirë.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajon të dyja palët që të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në këtë përgjigje.

SHBA-të i bëjnë thirrje të dyja palëve që t’i shfrytëzojnë mundësitë për të bërë përparim në këtë çështje.

Po ashtu, thuhet se SHBA-të do të mbështesin të dyja palët për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila është e vetmja mënyrë për të zhbllokuar të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë drejt perëndimit.

Shefi i delegacionit të Kosovës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Avni Arifi, ka thënë se shkëmbimi i territoreve nuk është fare në diskutim.

“Ajo nuk është temë e debatit, nuk është as orientim e as mendim i asnjë subjekti politik në Kosovë, pozitë apo opozitë, e as ndonjë mekanizmi tjetër shtetëror të Kosovës”, ka thënë Arifi për REL.
Një shkëmbim i tillë territoresh mes dy vendeve, sipas Petrit Zogajt nga Lëvizja FOL, do të shkaktonte efekte tek shtetet tjera të rajonit. Zogaj ka thënë se kjo do të mund të nxiste edhe dhunë.
“Nuk shoh formulë të thjeshtëzuar se si do të mund të shkëmbeheshin territoret mes Kosovës dhe Serbisë, pa pasur efekte rajonale. Këto efekte rajonale sigurisht që mund të jenë të dhunshme. Mund të jenë me gjakderdhje dhe janë shumë të paparashikueshme si procese se sa që kishte me qenë një marrëveshje pajtuese mes Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Debatet për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë janë përmendur nga shumë media në Kosovë dhe Serbi si zgjidhje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i ndihmojnë t’i bindin shqiptarët e Kosovës që të jenë gati për zgjidhje fleksibile që do të mundësojnë një kompromis. Në Serbi ka lindur një ide që Kosova dhe Serbia, si zgjidhje të përhershme t’i shkëmbejnë territoret në jug dhe veri.