Shqipëria

Amnesty International: Shqipëria probleme të mëdha me të drejtat e njeriut

Po ashtu thuhet se rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE është vështirësuar nga progresi i ngadaltë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Raporti i fundit që ka nxjerr Amnesty International e nxjerr Shqipërinë një vend ku shkelen të drejtat e njeriut, duke përmendur kështu një varg shkeljesh të ligjit, nga vrasjet, trafikimi, vjedhja dhe paragjykimi. Sipas AI, mosndëshkimi për vrasjet dhe zhdukjet e të periudhës se kaluar, mungesa e masave për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, trafikimi e  prostitucion janë vetëm disa nga problemet që i ka gjet AI në raportin e Shqipërisë 2017-2018.

Po ashtu thuhet se rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE është vështirësuar nga progresi i ngadaltë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Amnesty ndalet tek kriza politike që i parapriu zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe protestat e partisë demokratike të opozitës.

Vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan për disa incidente të presionit mbi votuesit dhe blerje të mundshme votash. Për sa i përket sistemit të drejtësisë, masat për të garantuar pavarësi gjyqësore janë implementuar pjesërisht, thuhet në raport.

Në qershor, u dërgua në Gjykatën Kushtetuese Ligji i Vettingut që synon të garantojë pavarësinë e gjykatësve dhe prokurorëve nga krimi i organizuar. Në një rast të paraqitur në gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut, qeveria ra dakord të rihapë hetimin për rastin e katër protestuesve të vrarë në protestën e 21 janarit 2011.

Një pagesë prej mbi 100 mijë eurosh si formë kompensimi është ndarë mes të afërmve të dy viktimave, raporton TCh. Më tej raporti ndalet tek të drejtat e komunitetit LGBT ku denoncon diskriminimin në punësim, tek të drejtat e emigrantëve, ato kulturore, ekonomike e sociale si edhe tek dhuna ndaj grave, ku specifikisht përmend rastin e gjykatëses së vrarë Fildeze Hafizi.