Lajme

Andreas Gross: Kumanova, edhe një hap drejt thellimit të dëshpërimit

“Zhvillime të tilla dezintegrojnë shoqërinë në rast se ato nuk mund të zbardhen sa më shpejtë dhe nëse fajtorët nuk merren në përgjegjësi“, thotë Andreas Gross në intervistën ekskluzive për albinfo.ch në dritën e zhvillimeve të dhunshme në Kumanovë

 

Nevojitet një hetim i vërtetë i asaj çfarë ka ndodhur në Kumanovë gjatë fundjavës së kaluar: kush dhe përse ka filluar të shtijë, kush ka vrarë kaq shumë njerëz dhe cilat kane qenë motivet politike të këtyre kriminelëve”, thotë në intervistën për albinfo.ch Andreas Gross, europarlamentar dhe president i albinfo.ch.

albinfo.ch: Si i gjykoni përleshjet e dhunshme që kanë tronditur ditë më parë Maqedoninë?

Andreas Goss: Ne ende dimë fare pak për identitetin e pjesëmarrësve në konfliktin në Kumanovë që të mund të bëjmë një vlerësim të saktë të përleshjeve të dhunshme të fundjavës së kaluar atje. Fatkeqësisht, këso lloj përleshjesh me armë nuk janë jotipike në aktualitetin maqedonas. Ndërkohë, dukej se gjatë muajve të fundit tensionet ndërkomunitare pak a shumë ishin zbutur; për këtë arsye është befasuese që sërish të ndodhin përleshje me armë me kaq shumë të vdekur. Maqedonia do t`i bënte vetes një shërbim të madh nëse autoritetet e atjeshme do të hulumtonin seriozisht prejardhjen dhe motivet e aktorëve. Unë shpresoj shumë se policia dhe prokuroria do ta bëjnë këtë.

albinfo.ch: Opozita mendon se qeveria ka inskenuar një “krizë ndëretnike”. Sa e konsideromi të besueshme një tezë të tillë dhe përse?

A.G.: Kjo tezë e ka një shkallë të caktuar realizmi në vete. Qeveria me të vërtetë ka interes te madh të shpërqendrojë vëmendjen nga gabimet e veta, të cilat sa po shkon koha po i dëshpërojnë më shumë qytetarët dhe po i nxjerrin ata në rrugë. Por,kjo është megjithatë një akuzë shumë e rëndë, e cila së pari duhet të provohet para se për të të diskutohet më tej. Për këtë arsye nevojitet një hetim serioz rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Kumanovë në fundjavën e kaluar, kush dhe për çfarë ka filluar të shtijë, kush ka vrarë kaq shumë njerëz dhe cilat kanë qenë motivet e këtyre kriminelëve.

albinfo.ch: Cilat janë pasojat e këtyre përleshjeve të dhunshme sipas jush dhe çfarë rrjedhojash do të kenë ato për perspektivat e integrimit evropian të Maqedonisë?

A.G.: Këto përleshje të armatosura janë edhe një shtytje e radhës në dëshpërimin i cili po përhapet te shumë njerëz në Maqedoni. Me kalimin e kohës ata po humbin besimin në qeverinë, në politikanët, ne institucione dhe nuk po dinë më se çfarë të besojnë dhe çka duhet të bëjnë. Zhvillime të tilla dezintegrojnë shoqërinë në rast se ato nuk mund të zbardhen sa më shpejtë dhe nëse fajtorët nuk merren në përgjegjësi. Maqedonia nuk mund të përballojë edhe më shumë mosbesim se kaq, më shumë tensione dhe më shumë zhgënjim.

albinfo.ch: Ju, një javë më parë keni qenë për vizitë në Shkup me një delegacion të Këshillit të Evropës. çfarë përfundimesh nxorët nga bisedimet dhe takimet që zhvilluat atje?

A.G.: Ne, një delegacion prej tre vetash – një këshilltar federal austriak, një kolegë britanik dhe unë – qëndruam para dhjetë ditësh për dy ditë në Shkup, ku biseduam me përfaqësuesit e studentëve rebelues, përfaqësuesit e opozitës, gazetarët, kryeministrin dhe ministrat nga dy komunitetet më të rëndësishme. Hendeqet të cilat e paralizojnë Maqedoninë, janë të thella dhe është e paqartë se cili ka më shumë përgjegjësi për cilat gabime,

Por, duket sikur Shërbimi i Sigurimit, ashtu sikurse më parë, nën Titon, edhe në Maqedoninë e pavarur, përgjatë 25 viteve ka përgjuar shumicën e politikanëve të rëndësishëm. Këta shirita incizimi shumëfish shokuese, të realizuara ilegalisht, u janë dorëzuar opozitës dhe kreut të saj i cili po kaq ilegalisht ua ka bërë të ditur ato pjesë-pjesë publikut; në të njëjtën kohë opozita e bojkoton parlamentin prej një viti, që nga zgjedhjet e kaluara. Veç kësaj, gjithnjë më shumë studentë demonstrojnë kundër korrupsionit dhe mungesës së cilësisë në universitete dhe gjithnjë më tepër njerëz u bashkohen demonstratave, pa pas hyrë autoritetet në dialog të vërtetë me studentët për të mësuar nga gabimet dhe për të treguar se janë të gatshëm t`i përmirësojnë ato. Kriza politike është alarmante.

Ne u përpoqëm të bindim opozitën që ajo me në fund të kthehet në parlament dhe atje të luftojë për arsimin, reformat dhe ligje më të mira. Po kështu ne jemi të bindur se kjo aferë e madhe përgjimi duhet të ndriçohet shpejt përmes një komisioni hetues parlamentar dhe që fajtorët duhet të thirren në përgjegjësi. Përfundimisht ne i bëmë thirrje qeverisë që më në fund t`u kushtojë kujdes kushtetutës dhe ligjeve si dhe t`i sjellë para gjyqit ata të cilët mendojnë se mund t`i injorojnë ato (ligjet) sa herë të duan.

albinfo.ch: Zëri juaj ka një peshë në opinionin maqedonas. Cili ishte mesazhi juaj drejtuar klasës politike të Maqedonisë, qoftë në opozitë ose në qeveri, qoftë ajo sllavo-maqedonase ose shqiptare e Maqedonisë?

A.G.: Ajo që mua më zemëron më së shumti është se si të gjithë atje e keqpërdorin shtetin për bizneset e tyre private dhe harrojnë se qeveritë janë ato që duhet t`u shërbejnë qytetarëve për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. Gjithandej ka mungesë të një etike të shërbimit publik. Shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një vend ku ata që në ndonjë mënyrë i kanë fituar zgjedhjet, i shërbejnë para së gjithash vetes. Kjo mungesë kulture duket se mjerisht i lidh ministrat e të dy etnive. Dhe u duhet bërë e qartë edhe partive opozitare se nuk mund ta ndihmojnë drejtësinë dhe të drejtën të fitojë duke përdorur mjete ilegale. Ajo duhet që në rrugën e kthimit në pushtet të sjellë dëshmitë se këtë pushtet nuk do ta keqpërdorë ashtu sikurse pozita e sotme, për përfitime dhe biznese private.

albinfo.ch:  Si mund të arrijë ky vend dhe i gjithë Ballkani Perëndimor në BE kur korrupsioni është i gjithëpranishëm?

A.G. Sigurisht kjo është pyetja vendimtare, për të cilën do të doja të kisha një përgjigje më të mirë. Me rëndësi do të ishte, para së gjithash që përgjegjësit e BE-së të angazhohen më shumë dhe më qartë në këto vende, e para së gjithash në Maqedoni dhe në Kosovë por edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Nevojitet të bëhet shumë më e artë se çfarëdo mbështetjesh dhe perspektivash mund të konsiderohen të hapura vetëm nëse respektohet shteti juridik  dhe nëse luftohen nacionalizmat etnikë. Kush nuk është i gatshëm të realizojë reformat që shkatërrojnë korrupsionin dhe që promovojnë pavarësinë e drejtësisë si dhe kush nuk është i gatshëm të pranojë ata që mendojnë ndryshe dhe komunitetet tjera, nuk do të gjejë promovim dhe as njohje nga BE-ja. Kjo duhet t`u komunikohet njerëzve më qartë edhe në kuadrin e shoqërive të atjeshme. Në këtë kuadër duhet promovuar shumë më tepër një shtyp i pavarur – mediet publike nuk guxojnë të konceptohen më si medie shtetërore ndërsa mediet nuk bën të jenë të varura nga buxhetet e marketingut të shtetit – ndryshe tepër shume prej tyre do të vazhdojnë kështu rrugën e gabuar dhe të manipulohen nga pushtetarët.

Edhe brenda shteteve është e nevojshme që autoriteteve dhe pushtetarëve të ndryshëm t`u bëhet e qartë se vendet e tyre do të shpërthejnë nëse ata do të vazhdojnë që pozitën e tyre dhe fuqinë e bazuar në pushtet ta keqpërdorin për pasurim të rrjeteve të tyre klienteliste në vend se për t`i shërbyer mirëqenies së përgjithshme dhe shumicës së qytetarëve. Këta njerëz po luajnë me zjarrin dhe po e vejnë ardhmërinë e shteteve të tyre në pikëpyetje. Këtë gjë ne duhet t`ua bëjmë të qartë dhe të bëjmë që qytetarët të jenë në gjendje të ndajnë shapin nga sheqeri ashtu që të mos mund të manipulohen më në zgjedhje.

Korrupsion dhe mungesë etike, te ministrat e të dyja etnive

Ajo që mua më zemëron më së shumti është se si të gjithë atje e keqpërdorin shtetin për bizneset e tyre private dhe harrojnë se qeveritë janë ato që duhet t`u shërbejnë qytetarëve për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. Gjithandej ka mungesë të një etike të shërbimit publik. Shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo një vend ku ata që në ndonjë mënyrë i kanë fituar zgjedhjet, i shërbejnë para së gjithash vetes. Kjo mungesë kulture duket se mjerisht i lidh ministrat e të dy etnive.

Njerëzit nuk dinë më çfarë të besojnë!

Këto përleshje të armatosura janë edhe një shtytje e radhës në dëshpërimin i cili po përhapet te shumë njerëz në Maqedoni. Me kalimin e kohës ata po humbin besimin në qeverinë, në politikanët, në institucione dhe nuk po dinë më se çfarë të besojnë dhe çka duhet të bëjnë.

Andreas Gross

Është politikan dhe politolog, deputet nacional i Zvicrës në disa legjislatura si dhe deputet dhe shef i grupit parlamentar socialdemokrat të Këshillit Evropian. Nga ky pozicion, ai është i njohur mirë me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe gëzon një reputacion të madh edhe në Maqedoni.

Nga dhjetori i vitit të kaluar, Gross është edhe kryetar i albinfo.ch.