Integrimi

Anila, shkodrania që rrezaton humanizëm në Zvicër

Ajo, jo vetëm që është integruar pa komplekse në shoqërinë zvicerane duke përvetësuar norma dhe standarde të sjelljes që po i sjellin suksese në punë e projekte, por me sjelljen humane kapërcen shpesh edhe vendaset

Viteve të fundit hetohet një trend i ri i sjelljes dhe qëndrimit të femrës shqiptare në Zvicër. Po hiqet dalëngadalë hipoteka e femrës së mbyllur dhe  shembujt për këtë,  janë të shumtë. Integrimi i mirëfilltë dhe i  suksesshëm tashmë po ndodh në saje  të punës së përkushtuar dhe sjelljes së natyrshme, ajo po sillet konform ligjeve civilizuese të shoqërisë së emancipuar zvicerane.

Jo vetëm gjeneratat e reja që kanë marrë hov në shkollim, por në përgjithësi shembuj pozitivë të dukshëm has kudo në projekte pune, edukimi, integrimi dhe përgjithësisht në të gjitha poret e jetës. Ajo jo vetëm që kap trende të civilizimit evropian, por herë herë është dhe më e avancuar në të gjitha drejtimet.

E tillë është edhe Anila Celaj në Kantonin e Aargaut me banim në Aarau. Ajo, jo vetëm që është integruar pa komplekse në shoqërinë zvicerane duke përvetësuar norma dhe standarde të sjelljes që po i sjellin suksese në punë e projekte, por me sjelljen humane kapërcen shpesh edhe vendaset.

Përveç që ka përvetësuar bukur gjermanishten, të cilën e flet rrjedhshëm, Anila, me njohjen e frëngjishtes të cilën e ka përvetësuar në Institutin e gjuhëve të huaja në Shkodër dhe  me italishten e mësuar bukur, nuk e ka problem të komunikojë dhe në dukje është një evropiane për lakmi.

Pasi kishte ushtruar një përvojë me nxënësit shqiptarë në Laufenburg ku bashkëpunimi me shkollën dhe prindërit në kuadër të LAPSH “N. Frashëri” në Zvicër i kishte krijuar mundësi lidhjeje me arsimtarët dhe rrethin e shkollës, ajo kishte vazhduar me projekte tjera ku gjithmonë ishte dalluar. Nënë e dy fëmijëve, Anila kishte gjetur kohë të jetë mësuese dhe punëtore e vyeshme, e respektuar nga të gjithë si një humaniste që në rend të parë ka kujdesin për fëmijët, refugjatët e më të moshuarit. Ndër komplimentet që kolegët dhe koleget i thurnin Aniles  ishin: –  Asaj i rrjedh mjaltë nga goja, ka buzëqeshje magjike dhe duar të arta për punë.

Në projektin e Organizatës ORS Service, e specializuar për përkujdesje të refugjatëve dhe azilkërkuesve në përgjithësi dhe për programe punuese në këtë drejtim  ajo u inkuadrua suksesshëm për të pritur valën e madhe të refugjatëve që ndodhi përmes rrugës ballkanike në vitin 2015 dhe në ekipin e udhëhequr nga Roger Hasler ishte femra më e suksesshme në ekipin e tij.

Ajo, bashkë me koleget dhe kolegët e saj u përkujdesën për qindra refugjatë, kryesisht të rinj, ku Anila dallohej dukshëm me vullnetin e saj për tu ofruar ndihmë këtyre fatkëqijve që luftërat në rajon, sidomos pas përkeqësimit në Siri i kishin detyruar të marrin rrugët e botës. Siç tregon vet udhëheqësi i këtij projekti, Roger, ishin iniciativat e saj që vendosën rregullin dhe të cilat bënë që kjo qendër të jetë e suksesshme. Sjellja e saj ndaj këtyre  të rinjve ishte  e shkëlqyeshme dhe puna në ekip dallohej dukshëm nga të tjerët. Ajo ishte e para që hartonte miniprojekte ditore, për të cilat ne të tjerëve as që na binte ndërmend. Ajo që në fillim i kuptoi drejt hallet e tyre dhe vendosi tu dilte në ndihmë. Pasi vërejti që në fillim se shumica prej tyre s` dinin të gatuanin, ajo vendosi që të organizonte kurse gatimi. Mblodhi fillimisht eritreasit e rinj dhe zgjodhi dy tre prej tyre që kishin pak përvojë në gatimin e ushqimeve tradicionale të tyre dhe me ta në bashkëpunim të ngushtë organizuan drekën e parë.

Të gjithë u mahnitën. Të rinjtë eritreas për herë të parë  u ndien të gëzuar. Hetuan shpirtin human të Aniles dhe e falënderuan. Ajo drekoi me ta pa ndonjë kompleks.  Ky ishte fillimi.

Projektet vazhduan me tutje me ndihmën e Qendrës sociale kantonale  e cila kur pa vullnetin e saj i doli në ndihmë dhe i krijoi kushte që në bashkëpunim të ngushtë edhe me kolegët tjerë të fillojë me refugjatët e rinj aktivitetet sportive që ishin për ta ma atraktive, lojërat e ndryshme daljet në natyrë, garat me biçikleta e deri te projektet punuese në bashkëpunim me firmat e interesuara. Me këto aktivitete dhe punë ajo po ua lehtësonte brengat, dhimbjen dhe mërzinë e këtyre të rinjve që kishin braktisur atdheun e tyre familjet dhe të dashurit.

Në këto aktivitete ata ndiheshin të gëzuar dhe për momentin harronin dhimbjet, mërzinë, brengat. Me buzëqeshjen e saj karakteristike, kujdesin e vazhdueshëm gjuhën e ëmbël dhe sensin human Anila kishte përvetësuar shpirtin e tyre saqë siç thotë Roger, ata në vend se të drejtoheshin tek unë për nevojat imediate kërkonin Anilën. Ajo kishte siguruar besimin e tyre dhe ata mendonin se vetëm ajo do tua plotësonte të gjitha kërkesat dhe do tua shëronte brengat.

Për ne, thonë  bashkëpunëtoret e saj, ishte një lehtësi e madhe. Ajo kurdoherë merrte iniciative që realizonim bashkërisht dhe e ndihmonim në projektet dhe idetë. Shpesh habiteshim me fuqinë e saj të të menduarit dhe realizimin e ndihmës së refugjatëve  në praktikë. Kur  ndaheshin punët ditore ajo nuk zgjidhte por merrte ato më të komplikuarat. Refugjatëve u qëndronte pranë dhe shpesh ta merrte mendja se ishte jo një kujdestare e thjeshte, po me afrinë dhe shpirtin human dukej si të ishte motra apo nëna e tyre.

Pavarësisht përkatësinë, këta të rinj nga Afganistani, Eritrea, Somalia, Iraku etj. e kishin hetuar ndjenjën humane të Anilës dhe adresa për të plotësuar nevojat e tyre ditore, për tu konsultuar e këshilluar për ta ishte Anila Celaj -shqiptarja që siç dukej kishte kuptuar shqetësimet, dhimbjen dhe mërzinë e tyre dhe me fjalët e këshillat ajo jo vetëm po ju plotësonte kërkesat ditore por po ua zbuste dhe qetësonte shpirtin e tyre të lënduar.

Ne donim të dinim burimin e fuqisë së saj por ajo thjesht  tregonte se edhe vet kishte pasur dikur nevojë t ja shtrinte dorën e ndihmës dhe në ato momente ishte ndjerë mirë, kështu ishte përforcuar kjo ndjenjë te ajo. Tu ndihmosh të tjerëve në fatkeqësi është jo vetëm bujari dhe humanizëm, është diçka e shenjtë të shërosh shpirtra njerëzish. Na dukej se po fliste filozofia e Nënë Terezes.

Ishte përfundimi i projektit dhe po bëhej bilanci i punës dhe përkujdesjes së refugjatëve, sukseset dhe të metat. Ishte sërish ajo Anila që po shkëmbente përvojën me koleget, gjithmonë e nderuar dhe e palodhshme, e prekur paksa sikur ndiente një zbrazëti, etja për punë dhe ndihmë si dukej do ti mungonte deri te projektet tjera. I dëshiruam suksese të mëtejme dhe u ndiem krenar për një femër  të tillë, për një shqiptare të palodhur dhe humane.

Unë ndihem mirë ku ndihmoj njerëzit në fatkeqësi na thoshte ajo. Kur ata që kanë humbur gjithçka në jetë buzëqeshin, unë ndihem tejet e gëzuar dhe nuk ndjej lodhje.

I uruam punë të mbarë shëndet dhe kishim dashur që të kemi më shumë Anila të tilla që me humanitetin e tyre bëhen shembull në shtetin helvetik dhe përmirësojnë imazhin tonë.

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/anila-shkodrania-qe-rrezaton-humanizem-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriAnila  Celaj
  • Prejardhja:Shkodër
  • Vendi ku vepron:Aarau, Zvicër
  • Profesioni:Punëtore sociale