Shkurt.ch

Ankesë kundër komunës që ndalon nxënësit të flasin në gjuhët amtare

Gjermanishtja si gjuhë e detyruar në komunikimin në mes të nxënësve (në pauzat në mes të orëve) është shkelje e lirisë së gjuhës, ka shkruar Roth në ankesën e saj

Në adresën e ekzekutivit të Kantonit të Solothurnit është bërë një ankesë kundër vendimit të komunës së Egerkingenit që nxënësit në oborrin e shkollës të flasin vetëm në gjuhën gjermane. Vendimi që kjo komunë kishte marrë para dy javësh, kishte shkaktuar jo pak reagime në komunë, kanton dhe në gjithë Zvicrën.

Ankesën e ka bërë kryetarja e SP/PS në nivel të kantonit, Franziska Roth,  thuhet në lajmin e agjencisë sda.

Gjermanishtja si gjuhë e detyruar në komunikimin në mes të nxënësve (në pauzat në mes të orëve) është shkelje e lirisë së gjuhës, ka shkruar Roth në ankesën e saj, transmeton albinfo.ch lajmin e publikuar nga mediet zvicerane. Komuna duke marrë një vendim të tillë, i ka tejkaluar kompetencat e veta.

Ndalesa që i bëhet dikujt për të zgjedhur lirisht gjuhën që dëshiron ta përdorë, është shkelje e lirisë gjuhësore, që është e garantuar me kushtetutë, thuhet veç tjerash në ankesën e drejtuar kundër Këshillit të Komunës së Egerkingenit.
“Mbetet e pakontestueshme se gjuhë e mësimit në shkollë është gjermanishtja, përcjell albinfo.ch. Por, detyrimi që edhe në oborrin e shkollës nxënësit të flasin vetëm gjermanisht, është “kufizim i rëndë i lirisë së gjuhës”, shkruan Roth më tutje.
Ajo po ashtu thekson se komuna, sipas Ligjit Kantonal të Arsimit nuk ka kompetencë për të vendosur sanksione të tilla me karakter veprues juridik. Madje detyrimi i prindërve për të paguar dënim për fëmijët e tyre që shkelin vendimin e komunës, shkel parimin që garantohet me kushtetutën e kantonit se ndjekja e mësimit është e drejtë e garantuar dhe për të nuk duhet të paguhet.

Siç ka shkruar dhe albinfo.ch, kryetarja e komunës së Egerkingenit ka propozuar dhe këshilli komunal pastaj ka vendosur për të futur një masë ndëshkuese për ata që shkelin vendimin. Deri në 550 franga do të paguajë ai nxënës (prindi i tij) që kapet duke folur në gjuhë tjetër pos në gjermanishte!

Vendimi për këtë është marrë në kuadrin e masave për mbajtjen e rendit ne shkolla. «Gjatë gjithë kohës që kalojnë në shkollë dhe në gjithë arealin e shkollës, gjuhë komunikimi për nxënësit  është gjermanishtja», thuhet në vendimin që ka ngritur pluhur në këtë komunë e më gjerë.

“Nuk bën të lejohet që fëmijët zviceranë të kufizohen, diskriminohen», thotë kryetarja e komunës, Johanna Bartholdi (FDP) për gazetën «Oltner Tagblatt». Ajo e arsyeton këtë vendim me faktin se ka klasë ku nxënësit me gjuhë amtare të huaj përbëjnë deri në 70% të numrit të përgjithshëm.