Kosova

Ankohen vreshtarët, Rahovec, sivjet 50 për qind më pak rrush

Kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Habib Dina tha se këtë vit rendimentet e rrushit janë përgjysmuar. Çmimet, sipas tij, sillen prej 20 cent për kilogram deri në 32 centë

Ngricat e vonshme pranverore, breshëri e së fundmi edhe bryma, kanë ndikuar që sivjet rendimet e rrushit të jenë 50 për qind më të vogla se sa viteve të kaluara. Kështu kanë deklaruar vreshtarët nga komuna e Rahovecit, të cilët kërkojnë ndihmën e institucionet e Kosovës për t’i kompensuar humbjet.

Avni Haxhimurati, i cili ka të mbjella dy hektarë me rrush thotë se krahasuar me vitin e kaluar rendimentet e rrushit këtë vit janë shumë të ulëta.

“Kemi afër dy hektar sipërfaqe te mbjella me rrush. Kemi filluar me vjeljen, mirëpo rendimentet janë shumë të vogla. Këtë vit kemi pasur shumë dëme nga breshëri. Krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit as 30 për qind të prodhimit nuk e kemi”, deklaroi Haxhimurati nga Rahoveci, komunë kjo e njohur për vreshtari dhe verëtari.

Përveç Avniut dhe vreshtarëve të tjerë, se rendimentet e rrushit janë zvogëluar e thotë edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve, Habib Dina, sipas të cilit, këtë vit në përgjithësi rendimentet e rrushit janë përgjysmuar.

Dina  thotë për RTK se vreshtarët këtë vit nuk e kanë problem shitjen e rrushit, për shkak se sasia është e vogël, cilësia e rrushit është e lartë dhe janë hapur kufijtë edhe për eksport.

“Rendimentet mund të them se janë përgjysmuara. Këtë vit nuk kemi problem me shitjen e rrushit, për shkak se rendimenti i ulët ka bërë që bodrumet të hapin dyert në mungesë të rrushit. Çmimet sillen prej 20 cent për kilogram deri në 32 centë. Këtë vit janë hapur edhe kufijtë dhe kemi blerës edhe nga Mali i Zi e Shqipëria”, tha Dina.

Haxhimurati e Dina, thonë se vreshtarët të cilët janë shumë të dëmtuar nga moti jo i mirë nuk janë kompensuar. Ata bëjnë thirrje që vreshtarët të ndihmohen në mënyrë që kjo situatë jo e mirë të tejkalohet më lehtë. Ndryshe Komuna e Rahovecit tradicionalisht merret me kultivimin e rrushit dhe llogaritet që me rrush janë të mbjella mbi 3000 hektarë.