Lajme

Apel medieve: Nuk ka migrim “ilegal”, por migrim “të parregullt”

Fushata 'Fjalët kanë peshë' tenton që të ulë shkallën e stigmatizimit të migrantëve që kalojnë kufijtë jashtë pikave administrative, duke shpjeguar se kjo është shkelje administrative e jo ilegale apo kriminale

Përderisa mediet kosovare dhe fjalori i politikanëve të Kosovës është i mbushur me etiketime të bashkëqytetarëve si “migrantë ilegalë”, avokues të të drejtave të njeriut në tërë Evropën thërrasin mediet që të mos e përdorin këtë term pezhorativ, duke shënuar kështu Ditën ndërkombëtare të migrmit.

Një grup i organizatave me qendër në vende të ndryshme të Evropës kërkojnë që përshkrimi i personave që migrojnë të bëhet me terma më neutral që nuk ngjallin urrejtje, duke i ikur fjalës “ilegal” që krijon konotacion negativ dhe i kriminalizon njerëzit.

Termi “ilegal” krijon një barrierë të kriminalizimit ndaj disa njerëzve të cilët këtë titull e “fitojnë” vetëm në bazë të disa procedurave administrative.

“Perceptimi se dikush është ilegal krijon një barrierë ndaj prezumimit se njerëzit kanë të drejtat themelore njerëzore”, thuhet ne këtë kumtesë të organizatave të bashkuara.

“Si punëtor migrant nga Filipinet në Holandë gjatë tërë kohës njerëzit më thonë ilegal, dikur fillova edhe vet të mendoj se jam i tillë, mirëpo unë nuk jam ilegal por nuk jam i dokumentuar si punëtor në Holandë”.

Me sloganin “Fjala ka peshë!”, organizatat si: The Platform for International Cooperation on Undocumented Migrants (PICUM); Right to Remain; Praksis; the Greek Forum of Refugees (GFR); KISA; Institut Panos Europe; Red Acoge; Andalucía Acoge dhe the Organisation for Undocumented Workers (OR.C.A.) thërrasin që për kategorinë në fjalë të përdoren fjalët si “pa dokumente” dhe “të parregullt” e jo “ilegal”. Ata kanë bërë një fjalor në shumë gjuhë të BE-së duke treguar se cilat fjalë është më mirë të përdoren në vend të fjalës “Migrimi Ilegal”.

Në Kosovë gjatë vitit të fundit kur shumë kosovarë, në kërkim të një jete më të mirë kanë kaluar kufijtë jashtë kalimeve administrative, mediet, politikanët dhe ambasadorët e BE-së në vazhdim kanë përdorur terme pezhorative të njollosjes së këtyre njerëzve në nevojë urgjente për shpresë dhe jetë si “ilegalë”.

Ky term është përdorur edhe nga Ministri i ri i brendshëm Skender Hyseni dhe ambasadorët e disa shteteve të BE-së gjatë konferencave për gazetarë, gjë e cila është përcjellë edhe nga mediet kosovare.

Nga aspekti juridik, thuhet në kumtesë, termi “ilegal” nuk është i drejtë pasi mungesa e dokumenteve nuk përfshinë krim. Kjo nuk është një shkelje kriminale kundrejt një njeriu, prone, sigurie nacionale dhe në të shumtën e rasteve kjo i takon domenit administrativ e jo kriminal.

Është e pasaktë që të përdoret termi “ilegal” për ata njerëz që kanë kaluar kufijtë jashtë pikave administrative pasi kjo dëmton paraqitjen e tyre ne gjyq dhe prezumimin e pafajësisë, thuhet në kumtesë.

Ky term gjithashtu përdoret vetëm kundër migrantëve kur bëjnë gjëra të tilla e nuk bëhet kundër qytetarëve të shteteve përkatëse. Përderisa njerëzit gjithmonë kanë qenë në lëvizje, termi “migrant ilegal” është krijuar në shekullin e kaluar.

Fushata “Fjala ka Peshë” nuk ka për qëllim vetëm përmirësimin e fjalorit por edhe më gjerë, përfundimin e diskriminimit kundrejt migrantëve.