Kosova

Apostolova kërkon tërheqjen e vendimit për rritjen e pagave

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, edhe një herë ka dalë kundër vendimit për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar. Ajo ka kërkuar që vendimi i marrë nga Qeveria e Kosovës të tërhiqet dhe të pritet miratimi i Ligjit të ri për pagat.

“Më 12 qershor Qeveria riktheu vendimin e saj për rritje të pagave për anëtarët e kabinetit, këshilltarë të caktuar, disa nëpunës të lartë civilë dhe stafin mbështetës të kabinetit qeveritar. Shpreh keqardhjen time për këtë vendim, pasi që përgatitja e Projektligj për pagat është në proces e sipër. Ky ligj do të rregullojë një herë e përgjithmonë pagat që paguhen nga buxheti i Kosovës me kritere objektive dhe të drejta. Ky ligj është pjesë e procesit të reformave në administratën publike, e të cilin BE-ja e mbështet”, ka thënë Apostolova, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka theksuar se ky vendim është në kundërshtim me qëllimet e përbashkëta për ta bërë administratën publike të Kosovës më të barabartë.