Kosova

Apostolova: Mbështetja e komuniteteve, kusht i rëndësishëm për integrim në BE

“Integrimi i komuniteteve kontribuon drejt komunitetit evropian, mirëpo realiteti është i hidhur në terren, këto komunitete vuajnë nga diskriminimi dhe varfëria"

Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se mbështetja e komuniteteve është kusht i rëndësishëm për integrim në BE.

“Integrimi i komuniteteve kontribuon drejt komunitetit evropian, mirëpo realiteti është i hidhur në terren, këto komunitete vuajnë nga diskriminimi dhe varfëria. Mbështetja e këtyre komuniteteve është kusht i vlefshëm drejt rrugës evropiane”, ka thënë ajo në seminarin me temën “Zotimi i politikave dhe përfshirja e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare”, të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë.

Kryeministri Haradinaj pohoi se Kosova është vend i të gjitha komuniteteve dhe bëri thirrje që të përfshihen në shoqëri. Ai tha që gjendja e këtyre komuniteteve nuk është në nivelin më të kënaqshëm, por u zotua në mbështetjen e tyre.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Isak Skenderi, bëri thirrje që të tregohet seriozitet më i lartë në trajtimin e komuniteteve në Kosovë.

Ndërsa, Marta Garcia Fidalgo, koordinatore e politikave për komunitete, tha se viteve të fundit ka pasur përmirësime në përfshirjen e komuniteteve në shoqëri.