Dimri në Kosovë, si në përralla

Arbeni, “snownjeri” i Kosovës

Stomatolog, trajner tenisi, alpinist e fotograf, janë disa nga profesionet e Arben Islamit, i cili është i pasionuar pas natyrës dhe gjërave të bukura

Arben Islami është njëri nga sportistët më aktivë në Kosovë. Ai asnjëherë nuk ndalet. Islami është i njohur për profesionet e shumta që ka, ndërsa në intervistën për albinfo.ch tregon për bukuritë që ka Kosova, dhe vendet të cilat duhet vizituar, për të shijuar bukuritë e shumta natyrore. Arbeni me profesion është stomatolog, ndërsa është marrë me tenis, skitari, bjeshkatari dhe fotografi, duke realizuar miliona fotografi, kryesisht nga bukuritë natyrore të Kosovës. Ai gjithashtu ka botuar edhe disa libra.

Arben Islami tregon se si në fillim vendosi të merret me sport. “Me profesion jam stomatolog. Përveç stomatologjisë merrem me shumë aktivitete prej të cilave kisha veçuar tenisin, skitarinë, bjeshkatarinë dhe fotografinë. Unë punoj edhe si trajner i tenisit. Më herët kam qenë tetë herë kampion i Kosovës dhe dy herë gjithëkombëtar. Ende merrem me tenis, por më shumë si trajner i gjeneratave të reja”, tregon Islami për albinfo.ch.

Njeriu që e ka promovuar shprehjen në zhargon “Njeri”

Një sport i veçantë për të është skitaria. “Me të kam filluar të merrem nga mosha 7-vjeçare. Pas luftës në Kosovë kam formuar shoqatën e njohur si ‘Snownjeri’, e cila kishte për qellim promovimin e skijimit alternativ dhe ski qendrave në Kosovë. Pasi kjo shoqatë u popullarizua shumë, kisha dëshirë që gjithmonë të bëja fotografi dhe t’i informoja ski-dashësit për më të rejat nga ski-qendrat tona. Ecjen e parë me grup si ‘Hikingnjeri’ e kam bërë në prill të vitit 2005”, shton tutje Islami, i cili njihet si personi i parë në Kosovë që përdori fjalën ‘Njeri’, e më pas mori edhe këtë nofkë. Më herët kishte punuar edhe si DJ.

Ai ka qenë pothuajse në të gjitha bjeshkët e Kosovës. “Për mua të gjitha vendet qe kam vizituar në Kosove janë të bukura. Janë shumë vende të cilat i preferoj për vizitë, por varet se për çka. Nëse dikush ka qejf me ec pak, e kisha preferuar Brodin e Dragashit, Bogën, Liqenatin, Mirushën, Radavcin, pjesën e ulët të Brezovicës, burimin e Istogut, etj. Unë preferoj vendet ku janë më të larta dhe është vështirë të shkohet me më shumë njerëz, si bjeshkët e Junikut, Deçanit, Rugovës, Istogut dhe Sharrin jugor të Dragashit. Gjithashtu e kisha preferuar Pashtrikun dhe Koritnikun”, rrëfehet Islami, i cili shton se turizmi malor në Kosovë është në rritje.

Mbi 2 milionë fotografi dhe disa libra me bukuritë e Kosovës

“Turizmi malor në Kosovë është në rritje. Në kohën kur është formuar ‘Hiking Njeri’ kanë qenë vetëm disa shoqata në Kosovë, kurse tash janë formuar dy herë më shumë. Profilizimi ynë si ‘Hiking Njeri’ është ndryshe nga shumica e shoqatave ekzistuese

në Kosovë. Përderisa të tjerat synim e kanë daljen në bjeshkë të ndryshme të rajonit dhe Evropës, i yni është që bjeshkatarëve tanë t’ua mësojmë Kosovën. Kosova ka shumë bjeshkë dhe numërojnë më shumë se 200”, shprehet ai. Përveç maleve, me ‘Snownjeri’ kanë edhe shumë aktivitete me sportet dimërore. Ai numëron rreth 2 milionë fotografi, kurse ka botuar edhe libra për të përshkruar bukuritë e Kosovës, në shqip dhe anglisht.

Arben Islami nuk harron t’i përshkruajë bjeshkët e Kosovës. “Një bjeshkë të cilën e kemi shkelur në vitin 2013 mund ta quaj misterioze. Është bjeshka e Sejnovës në Jabllanicë të Madhe të Pejës. Disa të moshuar kur na kanë parë, kanë thënë se ne jemi turistët e parë që kemi vizituar atë bjeshkë. Bjeshkët e Kosovës në tërësi janë autentike. Janë shumë të mira për ecje dhe në to shihen stane të bukura, kullosa, bimë të rralla, mikpritje nga banorët e fshatrave malore dhe bukuri e rrallë. Sa herë që i vizitoj këto bjeshkë emocionohem shumë. Ndonjëherë kur rri vet në fund të grupit gjatë ecjes më duket se bjeshkët janë të gjalla dhe disi gëzohen kur më shohin. Është ndjenjë që e ndiej sa herë që shkoj diku”, përfundoiArben Islami.

 

“Bjeshkët `gëzohen` kur më shohin!”

“Bjeshkët e Kosovës në tërësi janë autentike. Janë shumë të mira për ecje dhe në to shihen stane të bukura, kullosa, bimë të rralla, mikpritje nga banorët e fshatrave malore dhe bukuri e rrallë. Sa herë që i vizitoj këto bjeshkë emocionohem shumë. Ndonjëherë kur rri vet në fund të grupit gjatë ecjes më duket se bjeshkët janë të gjalla dhe disi gëzohen kur më shohin. Është ndjenjë që e ndiej sa herë që shkoj diku”. 

(Fotot: Hikingnjeri)


 Të tjera nga Dimri në Kosovë, si në përralla