E-Diaspora

Ardi T. mund të marrë 11 vjet e gjysmë burg për rrëzimin e partneres së tij nga dritarja

Prokurori duke arsyetuar akuzën ka thënë se gruan e rrëzuar do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës paraliza e shkaktuar nga rrëzimi. Mbrojtja thotë se ajo është rrëzuar aksidentalisht

Në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Landit në Dyseldorf për rrëzimin misterioz të 24 vjeçares, për goditje për vdekje po gjykohet shqiptari Ardi T., sot 40 vjeçar. Ai ka qenë partner i gruas, e cila para një viti ishte rrëzuar nga lartësia prej 7 metrash (kati i dytë) në një shtëpi në Dyseldorf, shkruajnë mediat gjermane.

Sipas akuzës, Ardi T. e ka shtyrë me qëllim viktimën dhe ajo ka rënë duke pësuar lëndime të rënda dhe paralizë, transmeton albinfo.ch. Prokurori duke arsyetuar akuzën ka thënë se gruan e rrëzuar do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës paraliza e shkaktuar nga rrëzimi. Ai ka kërkuar dënim prej 11 vjet e gjysmë burg duke e akuzuar 40 vjeçarin për goditje për vdekje dhe për tregti me drogë. Ndërkaq, prokurori ka hequr dorë nga akuza për tentim vrasjeje të rëndë.

Por, Ardi T. dhe mbrojtja e tij ngulin këmbë se partnerja ka rënë vetë dhe ai nuk e ka shtyrë. Madje, sipas tij, ai ka qenë në oborr kur e ka parë gruan të rrëzuar. Më tutje ai thotë se ajo ka qenë në varësi nga droga dhe ia ka vjedhur atij 1800 euro. Pastaj, në përpjekje për t`u fshehur, është rrëzuar aksidentalisht. 

Mediat i kanë kushtuar shumë hapësirë këtij procesi gjyqësor edhe për shkak të një momenti kurioz: gjyqtari, për të ilustruar rrëzimin e viktimës nga dritarja, ka improvizuar një skenë të ndërtuar me blloqet e njohura për lodra fëmijësh “lego”.