Kultura

Ardian Bujupi shkëlqen dhe siguron gjysmëfinalen

Juria ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Ardianin, duke përforcuar që në fillim bindjen e publikut se ai është favoriti i mbrëmjes

Ardian Bujupi, me zërin dhe gjithë paraqitjen e tij fenomenale, ka bindur jo vetëm jurinë treanëtarëshe të shout “DSDS” por edhe publikun e gjerë, i cili i ka dhënë atij votat e mjaftueshme për të kaluar në gjysmëfinalen e shout. 

Këngëtari shqiptar nga Heidelbergu u Gjermanisë ka zënë  kështu vend në mesin e tre këngëtarëve që të shtunën e ardhshme, më 30 prill, do të kenë edhe një sprovë të madhe, atë të kualifikimit për finale.

Krahas Ardian Bujupit, (19 vjeç), në treshen ngadhënjyese janë zgjedhur edhe Sarah Engels (18) dhe Pietro Lombardi (18). Ndërsa mjekut 26 vjeçar nga Austria, Marco Angelini nuk i kanë mjaftuar votat e publikut për të vazhduar më tutje.

Juria ka vlerësuar kësaj radhe në mënyrë të veçantë Ardianin, duke përforcuar që në fillim bindjen e publikut se ai është favoriti i mbrëmjes.

Ai është dalluar me shumanshmërinë e tij, duke interpretuar këngë që u takojnë zhanreve shumë të ndryshme mes vete. Këngët e kënduara nga Ardiani ishin: “Here Without You” nga 3 Doors Down; “Sex Machine” nga James Brown dhe Fairytale” nga Alexander Rybak.

Me të tri këngët ai ka merituar duartrokitjet e publikut dhe entuziazmin e së paku dy anëtarëve të jurisë; Patrick Nuo dhe Fernanda Brandao. Ndërsa veterani i pop-it gjerman Dieter Bohlen ka qenë paksa më i rezervuar, por megjithatë ka pranuar cilësitë e Bujupit.

Të shtunën që vjen, më 30 prill, Ardiaan Bujupi me dy këngëtarët tjerë do të takohen sërish në skenë. Cili/cila do të mungojë javën pasuese (më 7 maj), në finale, mbetet të shihet.