Kultura

Ardian Bujupin mund ta rrëmbente Kosova më 2009

Video ekskluzive e hapave të parë të yllit të muzikës në Gjermani, Ardian Bujupi

Dy vjet më vonë flet ekskluzivisht për Albinfo.ch artistja e njohur nga Shqipëria, Mimoza Nazarko, e cila në cilësinë e jurisë, në një shou muzikor dy vjet më parë e kishte zbuluar talentin e Ardian Bujupit dhe i kishte thënë në atë kohë se me të do krenohet një ditë jo vetëm Kosova, por edhe Gjermania…

Albinfo.ch ka siguruar një video eksluzive nga produksioni „Albstudio“ në Zvicër. Në këtë video në një garë muzikore që ishte mbajtur më 2009 në diasporë, Ardian Bujupi kishte treguar cilësitë e një këngëtari, e që po dëshmohet edhe në spektaklin që po mbahet në Gjermani „DSDS“, duke qenë shumë afër finales.

Ardianin në këtë video mund ta shihni duke kënduar edhe në gjuhën shqipe.

Këngëtarja nga Shqipëria, Mimoza Nazarko, me qëndrim në Gjenevë, ka thënë për Albinfo se beson se Ardiani sigurt do ta rrëmbejë titullin e këngëtarit më të mirë në Gjermani.

„Për një djalosh në moshën e tij, duke besuar në talentin e tij, e me dëshirën për të kapërcyer çdo pengesë, me dashurinë për pasionin e tij, e sigurisht me dashurinë për vendlindjen, ai po kapërcen  të gjitha barrierat, e me shumë besim në vetvete është duke shikuar përpara me sytë e suksesit e të fituesit“, ka thënë për Albinfo.ch.këngëtarja Nazarko.

Ajo rikujton shoun muzikor të mbajtur dy vjet më herët dhe paraqitjen e parë në publik të Ardian Bujupit dhe nuk pendohet me vlerësimin meritor që i kishte bërë në atë kohë të riut nga Kosova.

„Më kujtohet përpara dy vjetësh në qytetin e Mannheim-it në spektalin “Pasioni im”, i transmetuar nga TV 21, ku unë bëja pjesë në jurinë e këtij spektakli, i cili konsistonte në gjetjen e talenteve të reja në diasporë, mbas shumë konkurrentësh, ku kishte mjaft të talentuar, i erdhi radha të këndonte një djali që quhej Adrian Bujupi…….përpara meje kisha një djalë, i cili që në fillim më bëri përshtypje me fytyrën dhe sytë e tij tepër të qeshur, me një bujari që shprehej në gjithë qënien e tij, i ndrojtur, por i sigurt në atë që përfaqësonte“, tregon Nazarko. 

Vlerësimin e Nazarkos po e konfirmon edhe juria e DSDC në Gjermani dhe të gjithë fansat e Ardianit.

„Ardian, ti je një djalë shumë i talentuar, e që do të bëhesh një artist shumë i madh, kjo as që diskutohet, por me ty  nuk do të krenohet vetëm Kosova, por do të krenohet dhe Gjermania“, citohet t’i ketë thënë Nazarko në cilësinë e anëtares së jurisë, dy vjet më parë këngëtarit tashmë me famë, Ardian Bujupi.

Këto cilësi të Ardianint nuk i kishte vërejtur asnjë kompozitor në Kosovë.

Mirëpo, çka thotë pas dy vjetësh për talentin nga Kosova artistja Mimoza Nazarko.

„E shoh sot Adrianin në skenat e “Superstar” në Gjermani, po ta dëgjosh me vëmëndje të njëjtën bujari transmeton dhe me artin e tingujt e tij. E shoh që natë pas nate e spektakël pas spektakli ai rritet si artist në interpretimet e në performancat që ai dhuron, në sigurinë e cilësinë e këngëve që ai këndon, në besimin në vetvete që është shumë i rëndësishëm në ecurinë e një artisti, e ndjehem shumë krenare për djalin dhe artistin që ai është tashmë, për atë që jam shqiptare e për vetë faktin që fjala ime mbase ishte një “ogur” i mirë për rrjedhën e ngjarjeve në jetën artistike të Adrianit“, shprehet Nazarko.

Me suksesin e Ardianit ndjehemi krenarë e gëzohemi të gjithë me arritjet e tij, por në të njëjtën kohë imponohet pyetja: artistëve si Adriani sa iu lëmë hapësirë t’i mbajmë për vete?

Në këtë drejtim është shumë e zhgënjyer Nazarko.

„Është krijuar tashmë një traditë që mbas suksesit jashtë kufijve të djemve e të vajzave shqiptare nëpër botë kujtohemi e vrapojmë të themi që janë shqiptarë e të krijojmë lavde për vetveten me nga një ftesë që iu bëjmë për t’i ftuar në atdhe, duke harruar që ata aty ishin përpara syve tanë, e askush nuk punoi me ta, e askush nuk kërkoi e nuk gërmoi në talentin e tyre për t’i bërë pjesë të spektakleve në Kosovë e në Shqipëri“, vlerëson Nazarko.

Ajo kritikon dhe thotë se talentet shqiptarë i kishim në duar, por ja që na i rrëmben skena ndërkombëtare nga mosinteresimi ynë.

„ Deri kur do të vazhdojmë t’i lëmë yjet tanë të na dalin nga duart tona e të tjerët të përfitojnë nga talenti e shkëlqimi i tyre, deri kur do të vazhdojnë mbylljet nëpër klane të të gjitha hapësirave kulturore e në të gjitha sferat e tjera“, shprehet e hidhëruar artistja Nazarko.

Suksesi e shkëlqimi i Adrianit jashtë kufijve shqiptarë jep mesazhin që është tepër pozitiv, e me përmasa që emri i Kosovës vetëm sa lartësohet e na bënë të njihemi edhe më shumë, përfundon Nazarko.

Sido që të jetë, për të gjithë këta si Ardiani, Kosova e tyre mbetet vetëm e tillë dhe jo një vend ku ata do të mund të ndërtonin një ëndërr.

Arsyen e kësaj e dinë mirë producentët kosovarë, sipas të cilëve Kosova nuk ofron asgjë për ta. Kësisoj, këta talentë shqiptarë mund t’i shohim vetëm në televizor ose në ndonjë koncert në vendin tonë, që sipas producentëve kosovarë edhe kjo është shumë vështirë të ndodhë.

Kjo tregon më së miri se kthimi i talenteve në Kosovë mbetet mision i pamundur!?