Kosova

Arifi i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Territori i Kosovës nuk jepet për asnjë çmim

Një deklaratë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka bërë që shefi i grupit negociator me Serbinë, Avni Arifi ti kundërpërgjigjet për Kosovën dhe territorin e saj.

 

Shefi i grupit të negociatave me Serbinë, Avni Arifi ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ky i fundit ka thënë se për Serbinë do të ishte fitore nëse merr një metër tokë në Kosovë, shkruan Albinfo.ch.

Arifi përmes profilit të tij zyrtar në “Facebook”, ka shkruar se “Sovraniteti dhe territori i Kosovës nuk cenohet nga askush për asnjë çmim. As tash as kurrë” .

“Asnjë metër të tokës së Kosovës për asnjë çmim! E urryeshme është ngrirja e konfliktit, e urryeshme është pasiguria dhe gjendja ekzistuese por asnjëra nuk e meriton dhe nuk e merr kurrë as një metër të Kosovës”, ka shkruar Avni Arifi.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, gjatë një vizite të tij në njërin nga fshatrat e Serbisë, ka thënë se  “Lidhur me Kosovën do të kemi ende për të folur. Edhe shumë kemi për të folur me popullin. Shumica e njerëzve në Serbi janë të përgjegjshëm dhe racionalë  dhe mendojnë për mbijetesën e Serbisë dhe të ardhmen e saj”.