Kosova

Arrestohen dy persona për tentim vrasje në Prishtinë

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona, të cilët të martën rreth orës 17:00 kanë shtënë me armë zjarri në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë, transmeton albinfo.ch.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me një rast vrasjeje të rëndë në tentativë, ku nga arma e zjarrit kanë pësuar lëndime dy persona: Z. J., mashkull, 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe N.U., mashkull , 44 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilët janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.  Në kuadër të veprimeve të saj, policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Si rezultat i kësaj, rreth orës 23:00  policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy personat e dyshuar: N.S., 42 vjeç dhe F.A., 32 vjeç”, thuhet në njoftim.

Personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit të shtetit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.