Kosova

Arrestohet Albin Kurti

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti është arrestuar nga Policia e Kosovës në bazë të urdhërarrestit të lëshuar ndaj tij për rastin e gazit lotsjellës.

Deputeti i VV-së është arrestuar derisa po hynte në objektin e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës, shkruan albinfo.ch.

Edhe pse kishte kundërshtime të mëdha, ai është arrestuar, derisa afër tij edhe ishin shumë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndaj Kurtit dhe deputeteve Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi është lëshuar urdhërarrest pasi munguan në Gjykatë për rastin e gazit lotsjellës.

Vetëvendosje e cilëson politik arrestimin e deputetëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri i ka vlerësuar si përndjekje politike arrestimet e deputetëve të kësaj partie, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu.

Të tre u arrestuan para hyrjes në seancën e sotme të Kuvendit pas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore të enjten, për shkak të mungesës së tyre në seancën ku akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës.

“Edhe ky ishte vendim politik. Deputetët ishin duke ardhur në seancën e thirrur për sot. Të tre deputetët ishin për të hyrë në seancë. Ata u arrestuan përmes brutalitetit. Ky është edhe një rast i përpjekjeve të padrejta ndaj deputetëve dhe aktivistëve të VV-së. Është i njëjta klikë që po punon kundër VV-së”, ka thënë Ymeri pas arrestimit të Kurtit.