Kosova

Arrestohet burri që dyshohet se vrau gruan e tij në Gjakovë

Sipas familjarëve, mësohet se vrasja e 61-vjeçares në Gjakovë ka ndodhur aksidentalisht

Një grua e moshës 61-vjeçare ka ndërruar jetë në orët e para të kësaj të hëne, pas të shtënave me armë zjarri nga bashkëshorti i saj.

Sipas raportit të policisë për rajonin e Gjakovës, bëhet e ditur që tashmë është arrestuar personi i dyshuar, i cili kreu vrasjen.

Përveç kësaj, sipas deklarimeve të familjarëve, mësohet se vrasja e 61-vjeçares në Gjakovë ka ndodhur aksidentalisht, përcjell albinfo.ch.

“Policia në vend ngjarjes ka gjetur armën me të cilën dyshohet se është plagosur viktima. Sipas deklaratave të familjarëve, respektivisht fëmijëve të tyre, bashkëshortët kanë jetuar në harmoni dhe nuk kanë pasur probleme në mes vete dhe dyshimet e tyre janë se rasti ka qenë aksidental dhe se nëna e tyre në atë moment ka qenë duke e pastruar armën, me të cilën dyshohet se është kryer vepra”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia me të gjitha njësitë relevante ka marrë të gjitha masat me qëllim të hetimit dhe zbardhjes së këtij rasti dhe përmes hetimeve të para ka kuptuar se rasti ka ndodhur në familje në Gjakovë në rrugën “Ali Ibra”.

Sipas deklaratave të familjarëve, rasti ndodhi në ballkon të shtëpisë, kur po bisedonin burrë e grua Xh.Sh, egjiptas/kosovar si dhe R.Sh. e moshës 61-vjeçare, egjiptase/kosovare.