Bota

Arrestohet ish-presidenti i Gjeorgjisë, kërcënoi me vetëvrasje

Policia ukrainase ka arrestuar në Kiev ish-presidentin e Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, në kulmin e një ndërtese, nga ku kishte kërcënuar se do të kërcejë.

“Saakashvili akuzohet për tentim për shkelje të rendit kushtetues”, deklaroi avokati i tij, Pavlo Bogomazov.

Autoritetet informuan se para arrestimit, Saakashvili u kërcënua se do të kryejë vetëvrasje, pasi policia tentoi të kryejë bastisje në banesën e tij. Pas bastisjes së policisë në banesë, Saakashvili ka hipur në kulmin e ndërtesës tetëkatëshe dhe ka bërtitur parulla kundër presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, përcjell albinfo.ch.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë rreth 30 përkrahës të Saakashvilit dhe rreth 100 pjesëtarë të policisë.

Mediat ukrainase raportojnë se Saakashvili nuk ishte nxjerrë nga ndërtesa për disa minuta, pasi që përkrahësit e tij kishin bllokuar rrugët e kësaj lagje.