CH-Ballkani

Arrestohet në Shëngjin kosovari që shiste mish të dyshimtë për restorante

Ky shtetas, në qytetin e Shëngjinit, me mjetin e tij, është kapur duke tregtuar në disa lokale një sasi prej 528 kg produkte mishi, të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme në një ambient në Tiranë

Gjysmë ton produkte mishi që tregtoheshin në Shëngjin, u sekuestruan pasi shiteshin në mënyrë të paligjshme dhe jashtë kushteve të sigurisë ushqimore.

Policia e Lezhës bën të ditur se është finalizuar operacioni “Rotten meat”, ku u sekuestruan 528 kg produkte mishi, të prodhuara jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, si dhe në bashkëpunim me AKU Tiranë, u bllokua punishtja ku prodhohej, raportojnë mediat shqiptare.

“Si rezultat i tij, u arrestua në flagrancë shtetasi Arsim Ç., 55 vjeç, banues Kosovë. Ky shtetas, në qytetin e Shëngjinit, me mjetin e tij, është kapur duke tregtuar në disa lokale një sasi prej 528 kg produkte mishi, të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme në një ambient në Tiranë jashtë kushteve të sigurisë ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e konsumatorëve, produkt të cilin, ia shiste restoranteve dhe “Fast Food-ve” në Shëngjin, si dhe pa faturë tatimore, duke fshehur të ardhurat”, njofton policia shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, për të gjithë subjektet tregtarë dhe personat e përfshirë.

Veprat penale në ngarkim të tij janë “Fshehja e të ardhurave” “Prodhim dhe shitja e ushqimeve e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin” “Manipulimi i tregut” dhe “Punësim i paligjshëm”.