Autotech

Arrestohet shefi i Audi-së, Rupert Stadler

Rupert Stadler, ahefi ekzekutiv i prodhuesit gjerman të automjeteve “Audi”,  është arrestuar këtë të hënë në lidhje me hetimin mbi skandalin e emetimit të gazrave të dëmshëm nga makinat me naftë, shkruajnë një sërë mediash gjermane.

Sipas informacioneve të “Der Spiegel” përpara një jave policia gjermane kishte bastisur shtëpinë e shefit të Audisë, ku kishte gjetur prova për implikimin e tij në skandalin e dizelit, përcjell albinfo.ch. Ai kishte ndërhyrë edhe te dëshmitarët, për të ndryshuar provat.

Prokurorët e Mynihut II thanë se Stadler duhej të merrej në pyetje të mërkurën, pasi të komunikonte me avokatët e tij.

Skandali i dizelit është zbuluar përpara tre viteve, ndërsa prej atëherë Audi ka tërhequr nga tregu miliona vetura. Vetëm muajin e kaluar, Audi pranoi se 60 mijë automjete të tjera të modeleve A6 dhe A7 me motor nafte kishin probleme të ngjashme me emetimin.

Prej 2015 kur shpërtheu skandali i emetimit të gazrave të dëmshme janë arrestuar 20 persona. Në akuza janë edhe shefa të VW, BMW dhe Mercedes.