Bota

Arrihet koalicioni në Gjermani

Partia Social Demokrate e qendrës se majtë në Gjermani ka arritur marrëveshje për formimin e koalicionit qeverisës me konservatorët e Kancelares Angela Merkel (CDU/CSU), raportojnë mediat ndërkombëtare.

Marrëveshja për shpërndarjen e ministrave ishte hapi i fundit drejt formimit të koalicionit qeverisës, përcjell albinfo.ch.

Negociatorët ishin në bisedime të vazhdueshme që nga mëngjesi i së martës. Çështje problematike për diskutim kanë ngelur të drejtat e punëtorëve dhe shëndetësia.

Fillimisht SPD pati refuzuar të shkojë në koalicion qeverisës me partinë e qendrës se djathtë të Merkel dhe partinë simotër të saj, CSU.

Ndërkohë, media të ndryshme njoftojnë se socialdemokratët do të marrin tre poste të rëndësishme ministrore, atë të Ministrisë së Jashtme, Ministrinë e Financave, që deri më tani e kanë drejtuar konservatorët, dhe atë të Punës. Ndërsa kristiansocialët do të marrin Ministrinë e Brendshme, ku ministër pritet të bëhet kreu i partisë, Horst Seehofer. Konservatorët e CDU do të marrin përsipër Ministrinë e Ekonomisë dhe të Mbrojtjes. Megjithatë para krijimit të qeverisë pritet vota e bazës socialdemokrate që nuk është shumë entuziaste për një koalicion të ri me CDU e CSU.