Kosova

Arrihet marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”

Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbajti sot mbledhjen e Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”, ndërsa në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Kompanisë amerikane “Contour Global”, u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliard euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës.

Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës. Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40 për qind  dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MW.

Me komponentën e koogjenerimit për ngrohjen qendrore, do të ketë kapacitete shumë më të mëdha për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes për qytetin e Prishtinës, Obiliqit, Drenasit dhe Fushë Kosovës,

“Arritja e marrëveshjes është rezultat i punës shumëvjeçare të qeverive të Kosovës, i shumë njerëzve, shumë ekspertëve, që në kushte të vështira arritën që t’i sigurojnë vendit të ardhme të sigurt energjetike dhe njëkohësisht kontratë që garanton arritjen e maksimumit për institucionet dhe popullin e Kosovës”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është ngjarje historike për popullin e Kosovës sepse energjia është kushti i pashmangshëm për të ardhmen prosperuese ekonomike, politike dhe sociale, transmeton albinfo.ch.