Shkurt.ch

Arrin në 320 mijë numri i punëtorëve “ndërkufitarë” në Zvicër

Më së shumti ka pasur “ndërkufitarë” nga Franca gjegjësisht në zonën rreth liqenit të Gjenevës. Gjysma e të gjithëve vijnë nga Franca ndërsa një e katërta nga Italia dhe një e pesta nga Gjermania

Në fund të vitit 2016 në Zvicër kanë qenë duke punuar saktësisht 318.500 punëtorë “ndërkufitarë”, siç quhen të të huajt nga vendet fqinje të cilët punojnë në Zvicër ndërsa jetojnë në vendet e tyre. Kjo shifër është për 3.7 për qind më e lartë se ajo e një viti më parë, ka bërë të ditur Zyra Federale për Statistikë.

Sikurse edhe deri më tash, më së shumti ka pasur “ndërkufitarë” nga Franca gjegjësisht në zonën rreth liqenit të Gjenevës,  transmeton albinfo.ch. Gjysma e të gjithëve vijnë nga Franca ndërsa një e katërta nga Italia dhe një e pesta nga Gjermania.

Mirëpo, përqindja më e lartë e ndërkufitarëve në përbërjen e të punësuarve, është ajo e italianëve në Kantonin e Tiçinos. Atje ata përbëjnë 27 për qind të të gjithë të punësuarve. Në këtë kanton “frontalier”-ët, siç i quajnë këta të huaj, në vazhdimësi përmenden si shkaktarë të “okupimit të vendeve të punës” vendësve.

Po u krahasua me gjendjen e para pesë viteve, numri i ndërkufitarëve është rritur për 25 për qind. Por duhet pasur parasysh me këtë rast se edhe numri i përgjithshëm i të punësuarve në Zvicër gjatë kësaj kohe është rritur për 8 për qind.