E-Diaspora

Arsyet e ndërprerjes së marrëveshjes dhe rëndësia e vazhdimit të zbatimit*

Arsyet e ndërprerjes së vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurimeve Shoqërore në raport me Kosovës janë në njërën anë krijimi i bindjes për abuzime, krijuar nga mediat dhe në anën tjetër vështirësitë e hasura gjatë zbatimit të saj në Kosovë në mungesë të strukturave të domosdoshme për zbatim korrekt. Eksperti i sigurimeve shoqërore i bën një analizë arsyeve në fjalë

Shkrimtari i njohur Zviceran Max Frisch në vitin 1965 në shkrimet e tij ishte shprehur: “Ne kërkuam fuqi punëtore e na erdhën njerëz”. Këto vargje shprehin më së miri rëndësinë e sezoierëve në Zvicër. Pas një periudhe gati shtatëvjecare të padrejtësisë ndaj shtetasve të Kosovës tanimë pritet që deri në mesin e këtij viti të arrihet një marrëveshje të re ndërshtetërore e Sigurisë Shoqërore e cila mundëson eksportimin e pensioneve në vendlindje. Mirëpo pas arritjes ajo duhet të miratohet nga dy qeveritë e të ratifikohet nga parlametet e dy shteteve dhe hyrja në fuqi mund të merr shumë kohë. Prandaj vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë për shtetasit e Kosovës të ndërprerë më 1prill 2010 është një domosdoshmëri pasi që nuk ekziston më as edhe një arsye e vetme për vazhdimin e padrejtësisë.

“Ne thirrëm fuqi punëtore e na erdhën njerëz”

Nga Kosova kur erdhën sezonierët e parë në Zvicër duke filluar nga vitet gjashtëdhjeta, kryesisht të rekrutuar nga Zvicra, kjo falë marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe ish Jugosllavisë. Por gjatë këtyre viteve shqiptarët nga Kosova njiheshin si shtetas Jugosllav. Historia e mërgatës nga Kosova nuk fillon në vitet nëntëdhjeta siç mendojnë, në mungesë të informacionit, disa Zviceran. Ata banonin në baraka dhe kryenin zakonisht punë të rënda, si në sektorin e ndërtimtarisë, të bujqësisë e më vonë edhe në hoteleri.

Fillimisht ata kishin për qëllim të punojnë për disa sezona dhe të kursejnë, këto ishin edhe qëllimet e autoriteteve zvicerane, për të ndërtuar një shtëpi dhe të kthehen në vendlindje, por rrjedha e jetës krijon zakonisht realitete tjera dhe duke filluar nga fundi i viteve shtatëdhjeta ata filluan të bëjnë bashkimin familjar dhe vendosën të integrohen e të qëndrojnë në Zvicër. Në ndërkohë shtëpitë i ndërtuan por ata ruajtën ëndrrën e tyre për kthimin në vendlindje gjatë moshës së pensionimit të pleqërisë.

Ata në njërën anë kanë dhënë një kontribut të jashtzakonshëm gjatë kohës së vështirë ekonomike e politike në Kosovë ndërsa në anën tjetër në Zvicër kanë kontribuar si në zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies ashtu edhe në zhvillimin e qëndrueshëm së sigurimeve shoqërore në Zvicër. Duke marrë parasyshë jetëgjatësinë e shkurtër të tyre, kjo si pasojë e punëve të rënda (që është dëshmuar në studime të ndryshme) ata përfituan më së paku nga pensioni i pleqërisë në krahasim me kontribuesit tjerë që kanë zhvilluar aktivitete ekonomike në sektorë tjerë.

Shkrimtari i njohur Zviceran Max Frish në shkrimet e tij në vitin 1965 ishte shprehur: “Ne kërkuam fuqi punëtore dhe na erdhën njerëz”. Këto vargje shprehin më së miri rolin dhe rëndësinë e sezonierëve nga të gjitha vendet të ardhur në Zvicër si në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies në Zvicër. Autoritetet vendore kishin menduar se sezonierët do të vijnë, të punojnë disa sezona dhe do të kthehen. Por sezonierët në ndërkohë filluan të bashkojnë familjet e tyre të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë.

Duke u bazuar në faktin e mosvazhdimit të marrëveshjes në raport me shtetasit e Kosovës nga 1 prilli i vitit 2010 ëndrra e tyre për khimin në vendlindje pas pensionimit tnimë ishte shuar. Në mungesë të marrëveshjes ata nuk kanë të drejtë në pension nëse kthehen në Kosovë për të jetuar.

Disa prej tyre kanë qenë të detyruar që të ruajnë vendbanimin në Zvicër pas arritjes së moshës së pensionimit. Disa të tjerë që janë kthyer në Kosovë dhe i kanë tërhequr kontributet e derdhura në Sigurimet Shoqërore duke hequr dorë kështu nga pensionet e mundshme në rast të arritjes së marrëveshjes së re.

Bile edhe ata që kanë pasur pensionin e pleqërisë para ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes në fjalë në ndërkohë kanë vdekur dhe në mungesë të marrëveshjes trashëgimtarët e tyre nuk mund të realizojnë të drejtën në pension të vejërisë.

Pse nuk duhet tërhequr kontributet?

Në mungesë të marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore sipas legjislacionit në fuqi ekziston e drejta në kthimin e kontributeve të derdhura gjatë veprimtarisë ekonomike që ka zgjatë më tepër se një vit. Me tërheqjen e kontributeve hiqet dorë nga çdo përfitim i mundshëm në rast të hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re ndërshtetërore. Përveç parashkrimit të kontributeve, që është pesë vite pas arritjes së moshës së pleqërisë 65 vjet, pra aktualisht deri në moshën 70 vjecare nuk ekziston asnjë domosdoshmëri tjetër për tërheqjen e tyre pasi që këto kontribute shëndrrohen në pensione në rast të hyrjes.

Arsyet e ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes

Fakti se nga 1 prilli i vitit 2010 është ndërprerë zbatimi i marrëveshjes në raport me shtetasit e kosovës tanimë është i ditur. Por kur flitet për shkaqet e ndërprerjes ndërprerjes së zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë në raport me shtetasit e Kosovës opinionet janë të ndryshme e nganjëherë bile edhe kundërthënëse.

Mediat zvicerane e ato kosovare kanë trajtuar arsye të ndryshme të ndërprerjes së marrëveshjes ndërshtetërore të sigurisë shoqërore në raport me Kosovën:

  1. Abuzimet nga persona që kanë përfituar në bazë kundërligjore nga pensioni i invaliditetit edhe pse kanë gëzuar shëndet të plotë, duke u bazuar kryesisht nga opinioni publik, ky i krijuar nga fushata populiste e spektrit të djathë politik në Zvicër duke marrë raste individuale të abuzimeve dhe duke krijuar jehonë në opinionin publik në Zvicër.
  2. Kërcnimet që janë bërë hetuesve të fshehtë gjatë projektit pilot për luftimin e abuzimeve të sigurimit të invaliditetit në Kosovë.
  3. Vështirësitë reale për zbatimin e marrëveshjes si pasojë e mungesës së kapaciteteve zbatuese të zyrës ndërlidhëse, të zyrave civile, instituteve shëndetësore e arsimore të cilat kanë lëshuar dokumente jovalide si dhe mungesës së skemës së sigurisë shoqërore në Kosovë.
  4. Mosgadishmërisë së Kosovës për të vazhduar zbatimin edhe të marrëveshjeve tjera ndërshtetërore me ish Jugosllavinë në raport me Kosovën.

Fushata populiste e partive të djathta politike në Zvicër duket se ka pasë një ndikim të rëndësishëm si në krijimin e opinionit politik ashtu edhe në pranueshmërinë e vendimmarrjes për mosvazhdimin e marrëveshjes në raport me Kosovën. Ky opinion i krijuar në Zvicër ka arritë madje të ketë ndikim të shtrihet edhe në Kosovë e të bind opinionin e nganjëhrë edhe autoritetet në Kosovë se fajet për mosvazhdimin e zbatimit të marrëveshjes i kanë pikërisht abuzuesit e sigurimit të invaliditetit.

Në vazhdim është me rëndësi të veçantë trajtimi i aspektit të abuzimeve.

Sfidat e sigurimit të invaliditetit në Zvicër

Gjatë viteve nëntëdhjeta numri i pensionistëve të invaliditetit ishte shtuar ndjeshëm, në mes tjerash edhe duke marrë parasyshë vendimmarrjes shpesh të gabuar të qendrave kantonale të invaliditetit, duke sjellë kështu një shpërputhje të thellë në mes të hyrave dhe shpenzimeve vjetore. Për konsolidimin financiar të sigurimit janë miratuar në vazhdim revidime të legjislacionit për të shndrruar sigurimin e invaliditetit në një sigurim integrues dhe duke u largauar në faktin se invalidizimi i njerëzve kishte pasoja përjashtuese nga shoqëria. Në anën tjetër është miratuar edhe financimi i përkohshëm edhe përmes tatimit të vlerës së shtuar. Për një kohë të caktuar qendrat kantonale të sigurimit kanë bërë verifikimin e pensioneve të invaliditetit nën moshën 55 vjeçare duke marrë masa riintegruese në tregun e punës. Është mundusuar të regjistrohen dhe të trajtohen me kohë rastet me paaftësi për punë dhe duke lehtësuar procedurat e aplikimit për ta si dhe duke ndërmarrë masa të shpejta intervenimi me qëllim të parandalimit të invaliditetit.

Falë të gjitha këtyre masave sigurimi i invaliditetit në vitin 2015 për të katërtën herë të hyrat vjetore i kanë mbuluar plotësisht shpenzimet vjetore.

Në këtë kuadër padyshim se abuzimet individuale të shtetasve nga Kosova kanë pasur një jehonë të jashtzakonshme në mediat bulevardeske e padyshim se kanë pasur një ndikim në krijimin e opinionit publik e zyrtar në Zvicër e pjesërisht edhe në Kosovë.

Vendimet e gabuara të qendrave kantonale të sigurimit të invaliditetit për një kohë të gjatë nuk janë marrë vetëm për shtetasit e Kosovës por edhe për personat tjerë të sigururar në Zvicër. Por dihet edhe nga fushatat tjera politike së zakonisht komunitetet e pambrojtura janë në shënjestrën e partive të djathta politike.

Të gjitha hetimet e fshehta të realizuara në Zvicër dhe në kuadër të projektit pilot në Kosovë të bazuara para së gjithash nga jehona mediale në realitet kanë rezultuar me disa raste të pakëta të cilat megjithatë sërish kanë krijuar opinionin publik në Zvicër.

Rastet individuale të abuzimeve duhet të luftohen, bile edhe luftohen në vazhdimësi që nga aplikimi për përfitime deri në kalimin e pensionit të invaliditetit në pensionin e pleqërisë.

Në ndërkohë  në Zvicër janë krijuar të gjitha parakushtet ligjore e strukturore për luftimin e abuzimeve. Lufta ndaj abuzuesve është e domosdoshme edhe duke marrë parasyshë parimin e solidaritetit ndaj kontributdhënësve. Mirëpo për vendimet e gabuara të qendrave të invaliditetit gjatë viteve nëntëdhjeta nuk mund të akuzohen përfituesit.

Pensionistët e invaliditetit kanë përgjegjësi ligjore që të lajmrojnë sigurimin në rast të ndryshimit të gjendjes shëndetësore, familjare dhe ekonomike me qëllim të rivlerësimit të invaliditetit dhe nëse nuk e bëjnë këtë ata sanksionohen në përputhje të plotë me legjislacionin.

Nga e gjithë kjo del se arsyet e ndërprerjes së vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore të Sigurimeve Shoqërore në raport me Kosovës janë në njërën anë krijimi i bindjes për abuzime, krijuar nga mediat dhe në anën tjetër vështirësitë e hasura gjatë zbatimit të saj në Kosovë në mungesë të strukturave të domosdoshme për zbatim korrekt. Ndërsa qëllimi i vendimit të njëanshëm nga qeveria zvicerane ishte integrimi i dispozitave për luftimin e abuzimeve edhe në marrëveshjet tjera ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore me shtetet tjera.

Domosdoshmëria e vazhdimit të zbatimit të marrëveshjes

Përderisa Zvicra me shtetet fqinje të Kosovës, Serbinë e Malin e Zi edhepse ka arritur marrëveshje të reja ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore në mungesë të ratifikimit të tyre vazhdon zbatimi i marrëveshjes së vjetër me ish Jugosllavinë. Me Bosnje Hercegovinën vazhdojnë negociatat për marrëveshje të re, por në ndërkohë deri sa të arrihet e fuqizohet marrëveshja e re vazhdon zbatimi i marrëveshjes së vjetër me ish Jugosllavinë.

Duke marrë parasyshë kthimin e mirëbesimit në mes të Zvicrës dhe Kosovës në rrafshin e Sigurisë Shoqërore dhe gadishmërisë për arritje të një marrëveshje të re tanimë nuk ekziston as edhe një arsye e vetme për mosvazhdimin e marrëveshjes së vjetër me ish Jugosllavinë edhe në raport me shtetasit e Kosovës.

Vaazhdimi i zbatimit të marrëveshjes së Sigurisë Shoqërore me ish Jugosllavinë në raport me Kosovës do ti jepte fund diskriminimit të shtetasve nga Kosovë si në raport me shtetet fqinje të Kosovës ashtu edhe në raport me shtetasit e vendeve me të cilat Zvicra ka një marrëveshje të Sigurisë Shoqërore.

Kjo do të kontribuonte edhe në konsolidimin e strukturave zbatuese në Kosovë që kur të hyjë në fuqi marrëveshja e re të mënjanohen vështirësitë fillestare të zbatimit dhe do të krijonte raporte të qëndrueshme në mes të dy shteteve duke i dhënë fund kështu padrejtësisë gati shtatëvjecare për shtetasit e Kosovës.

(Autori është ekspert i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër dhe këtë artikull e ka shkruar enkas për albinfo.ch)

*Ky është një opinion i autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimin e redaksisë

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/arsyet-e-nderprerjes-se-marreveshjes-dhe-rendesia-e-vazhdimit-te-zbatimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.