E-Diaspora

Artisti, përjetësisht i lidhur me fatin dhe dramën kombëtare

Të shtunën mbrëma, në prani të shumë mysafirëve, në teatrin e një shkolle të Winterthurit është promovuar libri “Arti i daltuar, Arsim Berisha, Gjurmë arti, kulture e jete“ i Ismet Krasniqit dhe Idriz Berishës, botim përmes të cilit janë sjellë opinione dhe shkrime nga shtypi i përditshëm dhe periodik në diasporë për artistin Arsim Berisha.

Prend Buzhala nga Prishtina, në një letër të dërguar në këtë promovim, ka folur për këtë libër që është në formë monografie për Arsim Berishën.

„Arsimi jo vetëm që krijon dhe e zhvillon jetën kulturore, artistike e kombëtare, porse na e jep njërën nga dëshmitë më të bukura të shqiptarit atje“, thotë mes të tjerash Prend Buzhala në letrën e tij, të cilën e ka lexuar Nexhmedin Isufi nga „Vatra“, i cili kishte marrë detyrën e moderatorit të kësaj mbrëmjeje artistike në Winterthur.

Pikturat e Arsim Berishës ishin ekspozuar në skenën e teatrit të shkollës, ndërsa para publikut kishin dalë autori Ismet Krasniqi, piktori Gani Bytyçi dhe veprimtari Ibish Neziri.

Isufi ka vazhduar me fjalimin e recensentit, Prend Buzhala.

„Nëse te pjesa e parë shpalosen shkrimet e dy piktorëve, Gani Bytyqi dhe Idriz Berisha, që duan të vënë në pah se Arsimi prin me pikturën në punë të artit, janë dhe dy pjesët e tjera, në të cilat autorë të shumtë praqesin, shpalosin, zbërthejnë dhe parashtrojnë veprimtarinë e tij atdhetare, por edhe në punën e tij në lëmin e kulturës, të koreografisë dhe valleve, por e japin edhe potretin e tij si njeri fisnik, humanist, atdhetar dhe veprimtar“, thotë në këtë promovim libri të organizuar nga “Trojet”, Prend Buzhala.

Për librin ka folur më pak autori Ismet Krasniqi, i cili kishte ardhur enkas nga Prishtina.

Për piktorin Gani Bytyqi krijimtaria artistike e Arsim Berishës shtrihet në tri fusha: koreografi, vallëzim dhe pikturë.

„Berisha është nga artistët që përjetësisht ishte dhe mbeti i lidhur për fatin dhe dramën të cilën e përjetoi vendi dhe kombi. Kjo lidhje, pavarësisht se Arsimi jeton prej vitesh larg atdheut, shpërfaqet në gjithë krijimtarinë artistike të tij, në koreografi, në valle e pikturë“, tha Bytyqi, duke u përqendruar në krijimtarinë artistike të Arsimit, në pikturë, e cila, sipas tij, shfaqet në tri cikle: potreti, druri dhe piktura abstrakte.

Janë të njohura pikturat e Arsimit me portretet e Skenderbeut, Nënë Terezës, Aleksandër Moisiut, Adem Jasharit, Mujë Krasniqit, Agim Ramadanit e shumë të tjerëve.

„Nga të gjitha portretet spikat karakterin luftarak e flijues, trimëria dhe fisnikëria, heroizmi e madhështia e atyre personazheve“, flet për pikturat e Arsimit, Gani Bytyçi.

Në libër kanë folur për Arsim Berishën edhe për aktivitetin e tij shumëvjeçar në skenë si valltarë, po edhe si koreograf.

Humoristi i njohur kosovar, njëherësh edhe njëri nga autorët e librit, ka sjellë disa pika humori për të pranishmit në këtë promovim libri, i cili është pasuruar edhe me këngë e valle shqiptare nga vogëlushët e ansamblit „Trojet“.

Krejt në fund Berisha dhuroi nga një libër për të bashkëpunëtorët dhe ata të cilët kontribuan të dalë në dritë „Arti i daltuar“, ndërsa të pranishmit kanë parë nga afër ekspozitën personale me disa nga veprat artistike të piktorit Arsim Berisha.