Shqipëria

Asnjë avokat nuk e mbron Ritvan Zykajn

Sakaq, vështirësi paraqiten në këtë çështje, sepse deri tani nuk ka një avokat që të merret me çështjen e Zykajt

Një gjyqtar i gatshëm do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë së Vlorës dhe policisë lokale, për mbajtjen nën arrest me burg pa afat, për 24-vjeçarin Ritvan Zykaj.

Ky person akuzohet për vrasje të tetëfishtë, pasi hapi zjarr me armë automatike të tipit “Kallashnikov” mbi të afërmit fqinjë me të, duke i marrë jetën tetë personave, mes të cilëve gra dhe dy fëmijë.

Ritvan Zykaj, pritet që të hënën (sot) më 13 gusht ora 10:00 të përballet me gjyqtarin e gatshëm, raportojnë mediat shqiptare.

Ai do të pyetet paraprakisht, kryesisht për gjeneralitetet dhe pasi prokuroria të kërkojë nga gjykata mbajtjen në burg të të dyshuarit, pritet që të kërkohet edhe mendimi i të dyshuarit, nëse ai e pranon akt-akuzën, përcjell albinfo.ch.

Sakaq, vështirësi paraqiten në këtë çështje, sepse deri tani nuk ka një avokat që të merret me çështjen e Zykajt.

Shteti është i detyruar që të pajtojë avokat nëse i pandehuri nuk arrin ta ketë.

Zykaj vrau tetë persona nga fisi i tij në fshatin Resulaj të Selenicës.

Shkak për vrasjen makabre, ai thotë se ishin akuzat që i bëheshin për vjedhjen e disa pulave në fshat, megjithatë ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikik.