Bota

Austri: Mjeku zviceran shpëton vajzën trevjeçare

Për fat të mirë, një mjek pediatër i rastësishëm, gjithashtu nga Zvicra, së bashku me bashkëshorten e tij e kanë reanimuar me sukses fëmijën

Pasditen e së dielës, në pishinën e një hoteli në Fügen të Austrisë, një vajzë trevjeçare për pak sa nuk është mbytur. Fëmija i një familje zvicerane, pa u hetuar nga askush është zhytur në pishinën e thellë 1,36 metra dhe është fundosur.

Për fat të mirë, një mjek pediatër i rastësishëm, gjithashtu nga Zvicra, së bashku me bashkëshorten e tij e kanë reanimuar me sukses fëmijën, transmeton albinfo.ch.

Rreth orës 17:00, babai kishte vënë re se vajzën e tij trevjeçare nuk e kishte pranë. Ai menjëherë vrapoi në drejtim të pishinës dhe pa vajzën pa vetëdije që po fundosej në pishinë. Në këtë gjendje afekti, babai u rrëzua dhe pësoi lëndime në shpinë.

Megjithatë, një mjek i pranishëm 35-vjeçar nga Zvicra u shndërrua në hero të vërtetë. Ai e nxori vajzën nga uji dhe së bashku me bashkëshorten e tij e reanimoi me sukses fëmijën trevjeçar, shkruan “Kronen Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.

Sipas vlerësimeve të deritanishme, vajza ka qëndruar nën ujë vetëm një kohë të shkurtër dhe nuk ka pësuar lëndime të rënda me pasoja. Për kontroll të mëtutjeshëm vajza është dërguar në një klinikë të Insbruckut.