Kosova

Austria bën presion për të ndërtuar një qendër azilpranuesish te vendet e treta

Austria bën presion në BE për të ndërtuar një qendër azilpranuesish në Shqipëri, Kosovë ose Maqedoni, përcjell albinfo.ch.

Qeveria austriake po shfrytëzon kohën si udhëheqësja e BE-së për të ashpërsuar ligjet e azilit dhe migracionit, shkruan “Der Standard” duke ju referuar një raporti nëntëfaqesh.

Mes tjerash aty shkruan se “BE nuk duhet të pranojë njohjen e azilantëve në tokat e tyre” dhe të kthehen mbrapsht te qendrat e azilantëve, të cilët duhet të ndërtohen në “vende të treta” dhe me “standarde europiane” si dhe të respektohen “të drejtat njerëzore ndërkombëtare dhe europiane.”

E gjithë kjo pasi kthimi i personave azilkërkues në vendlindjet e tyre duket e pamundur.

Kush janë vendet e treta?

Vendet e treta do kenë statusin e “mikpritësit të përkohshëm”, që të mos keqpërdoren për të kërkuar strehim azilkërkuesit. Pas refuzimit kategorik nga vendet e Afrikës Veriore për të pranuar të jenë pikë grumbullimi i emigrantëve, një qasje e tillë po u ofrohet gjithmonë e më tepër vendeve që tentojnë të integrohen në BE: Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, përcjell albinfo.ch. Austria bën presion në BE për të ndërtuar një qendër azilpranuesish jashtë BE. Sipas një personi intern, vendet e Ballkanit Perëndimor, po tregojnë gatishmëri për të pranuar një projekt të tillë.

Gjithsesi pak javë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama, theksoi për “Bild”, se Shqipëria nuk do pranonte ndërtimin e një qendre të tillë grumbullimi për refugjatët.