Lajme

Autobusi merr flakë, një i vdekur 12 të lënduar

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur në orën 11 e 25 në Krujë, ndërsa personi që ka humbur jetën është një grua e cila ka mbetur e karbonizuar brenda autobusit. 12 gra të tjera janë të lënduara rëndë

Një person ka humbur jetën, ndërsa 12 të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e djegies së një autobusi në Krujë të Shqipërisë. Në bordin e autobusit ndodheshin 30 persona, shumica gra dhe drejtues të Kishës Ortodokse Shën Theodhori në Vlorë, të cilët ishin në ekskursion pelegrinazhi.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur në orën 11 e 25 minuta, ndërsa personi që ka humbur jetën është një grua e cila ka mbetur e karbonizuar brenda automjetit. Kurse 12 persona të tjerë, shumica gra, pësuan dëmtime të shumta nga flakët.

Sipas TCH, tre prej të plagosurve janë në gjendje kritike, ndërsa 6 janë dërguar me urgjencë me helikopter në repartin e djegieve në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës..

Sipas policisë shqiptare, por edhe dëshmitarëve, zjarri shpërtheu menjëherë në motorin e autobusit, i cili kishte vetëm një derë në pjesën e përparme të tij. Autobusi kishte për destinacion një vizitë turistike në Ulqin dhe gjatë rrugës kishin planifikuar një viztië në qytetin e Krujës.

Dëshmitarë të cilët ndodheshin brenda autobusit, thanë se për t’i shpëtuar flakëve thyen xhamin me sende të forta. Ata pohuan se dolën nga dritaret për t’i shpëtuar karbonzimit.

Shefi i Repartit të Djegie-Plastikës, në QSUT Gjergji Belba, deklaroi për mediat se të gjithë të plagosurit janë gra, tetë prej të cilave me djegie mbi 50 për qind të trupit, ku për shkak të moshës së madhe tre janë në gjendje kritike. Ndërkohë mjekët bën me dije se njëra do transferohet në repartin e toksikologjisë pasi nuk ka djegie të mëdha në trup, por ka thithur shumë tym.