Kultura

Avancim vlerash në festivalin e filmit “SwiKos“

Në këtë festival dyditor janë prezantuar katërmbëdhjetë projekte filmike, shtatë prej të cilëve të regjisorëve shqiptarë

Për dy ditë rresht, këtë fundjavë, qyteti i Bazelit ishte nikoqir për të katërtën herë me radhë i festivalit të filmit në Zvicër të metrazhit të shkurtër “SwiKos”.

Në sallën “Stadt Casino” të këtij qyteti ishin mbledhur regjisorë, skenaristë dhe producentë filmash nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Zvicra, Holanda dhe Gjermania.

Në këtë festival dyditor janë shfaqur katërmbëdhjetë projekte filmike, shtatë prej të cilëve të regjisorëve shqiptarë.

Drejtori i këtij festivali, Florim Brajshori, ka thënë për albinfo.ch se festivali i sivjetmë ka qenë shumë më i mirë se edicionet e tjera, si nga numri i shikuesve, ashtu edhe nga cilësia e filmave të shfaqur.

Sipas Brajshorit, qëllimi edhe i këtij edicioni ishte plasimi i kulturës shqiptare në Zvicër dhe rritja e bashkëpunimit në mes të krijuesve nga Kosova dhe Zvicra.

Sipas tij, filmat janë pritur mjaft mirë si nga juria, ashtu edhe nga publiku që ka qenë i shumtë, si shqiptarë, ashtu edhe zviceranë. “Në festivalin e sivjetmë janë shfaqur filma, të cilët janë shpërblyer edhe në festivale të tjera filmi”, ka thënë Brajshori.

Epitetin e më të mirit në “SwiKos” e mori filmi “Për ters atë çast”

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për projektet më të mira filmike, juria në përbërje të regjisorit dhe producentit zviceran, Bernie Foster, regjisorit maqedonas, Mitko Panov dhe dramaturgut e regjisorit nga Kosova, Haqif Mulliqi, shpalli fitues të festivalit “SwisKos” filmin shqiptar “Për ters atë çast”, në regji të Gentian Koçit.

Po ashtu nga juria ka marrë shpërblime edhe filmi “May” me regji të Natasha Beller.

Skenari më i mirë i filmit u shpall “In Memoriam” me regji të Ilirjan Himajt.

Aktori më i mirë i festivalit është shpallur Astrit Alihajdaraj, protagonist i filmit “Ilirjana”.

Regjisori më i mirë i festivalit,  Faton Bajraktari, me filmin “Tri dritare”, përderisa për montazhin më të mirë është vlerësuar “Kritzeln and Kribbeln” me regji të Amaurio Berger.

Projektet e tjera filmike të regjisorëve shqiptarë që kanë konkurruar për çmimet e ”SwiKos 2010” kanë qenë edhe filmat :“E kuqja” e Gazmend Nelës, “Tri dritare” e Faton Bajraktarit, “Vdekja nga ngufatja” me regji të Visar Morinës, “Ilirjana” i Ernest Mehollit dhe “Kthimi” i Kastriot Abdylit.

Filmi “Matanë lumit” i regjisorit kosovar, Ilirjan Himajt, është shpërblyer me çmimin kryesor në edicionin e kaluar të festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër “SwiKos”.