Shqipëria

Babai me dy fëmijë vdesin nga aksidenti në Shkodër

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në Shkodër, ku si pasojë babai dhe dy fëmijët e tij, djalin 9 muajsh dhe vajzën 5 vjeçe kanë humbur jetën, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe katër persona të tjerë.

Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:00 pranë Kishës së Velipojës dhe sipas informacioneve të policisë në aksident janë përfshirë dy vetura, një Fuoristradë dhe një veturë Alfa Romeo, të cilat janë përplasur ‘kokë më kokë’, përcjell albinfo.ch.

Policia shqiptare ka deklaruar se viktima është Edmond Preka 40-vjeçar, djali  i tij 9 muajsh R.P. dhe vajza N. P. 5 vjeçare, të cilët ndodheshin në makinën “Alfa Romeo”, bashkë me gruan dhe me vajzën tjetër.

“Bashkëshortja e Edmondit, shtetasja E. P. 36 vjeçe dhe vajza  A. P. 10 vjeçe janë dërguar në urgjencën e  Spitalit Rajonal Shkodër”, tha policia shqiptare.

Ndërsa në veturë Foristradë, me drejtues shtetasin Sokol Muja udhëtonte dhe shtetasi N. Gj, të cilët kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër.

Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e lartë e dy automjeteve, por edhe errësira në rrugë.

Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.