CH-Ballkani

“BABAI” u prit shumë mirë në Gjermani

Regjisori ka treguar me mjeshtëri të jashtëzakonshme se si duhet bërë filmat me temë të refugjatëve: me guximin për fuqinë autonome të fotografive, pa dramatizim artificial por para së gjithash më një qëllim të qartë...

 

Filmi „Babai“ i cili është filmi i parë kosovar që shfaqet në kinematë gjermane, pati premierë të suksesshme në Landin e Nordrhein-Westfalenit.

Në kinemanë e bukur të Muzeut Ludwig në Köln, filmi u shfaq në prani të  shumë filmdashësve por të pranishëm ishin edhe regjisori dhe disa aktorë të këtij filmi. Mediet gjermane i kushtuan vëmendje të konsiderueshme filmit i cili po shfaqet në kohën kur në Gjermani çdo ditë hyjnë me mijëra refugjatë, raporton albinfo.ch. Portali prestigjioz Spiegel Online thur vargje lëvdate për filmin. Sidomos regjisori debytant Visar Morina dhe Val Maloku, në rolin e Norit, vlerësohen lartë nga ky portal, përcjell albinfo.ch.

Spiegel Online vlerëson se regjisori ka treguar me mjeshtëri të jashtëzakonshme se si duhet bërë filmat me temë të refugjatëve: me guximin per fuqinë autonome të fotografive, pa dramatizim artificial por para së gjithash më një qëllim të qartë, fatin individual të figurave të tij.

Shqiptarët e Gjermanisë shohin veten në filmin “Babai”

Shikuesit shqiptarë të cilët në Köln kishin ardhur individualisht por edhe të organizuar në shoqata të ndryshme, filmi i  ballafaqoi me situatën e zymtë në Kosovën e viteve të 90ta. Shumë prej tyre kishin dikund fatin e njëjtë më atë të figurave të filmit. Filmi i ktheu ata në kohën e rrugëtimeve të tyre aventuristike drejt Evropës perëndimore, duke rrezikuar jetën e tyrë në dallgët e Detit Adriatik apo ndonjë lumi dikund në kufirin hungarez e gjetiu.

Edhe shikuesit e tjerë ishin kurreshtarë për këtë film në një kohë kur filmat për refugjatët gëzojnë vëmëndjë të veçantë në Gjermani. Rëndësinë e filmave për refugjatët e nënvizoi edhe juria e festivalit Berlinale, e cila para disa javësh, për filmin  më të mirë të festivalit shpallin dokumentarin për refugjatët „Fuocoammare“. Edhe filmi „Babai“ ofron përgjigje në pyetjet e shumta rreth refugjatëve dhe ndihmon poashtu në hapjen e perspektivave të reja, shkruan albinfo.ch. Disa shikuesve që nuk e njihnin Kosovën, në film ju kishte lënë përshtypje gjendja e tmerrshme në shoqërinë kosovare në fillimin e viteve të 90ta. Jo vetëm dhuna policore që i përcillte çdo ditë por edhe dhuna në familje, tradita patriarkale, mosbesimi ndaj njëri tjetrit etj.

Val Maloku shkëlqeu në rolin e Norit

Pas shfaqjes së filmit, shtëpia distributuese e filmit “Missingfilms” dhe organizatori i shfaqjes në Köln “Filmpalette Köln”, organizuan një koktej rasti i cili u mirëprit nga shikuesit të cilët patën mundësi bisede me regjisorin dhe aktorët. Atyre ju bën pyetje të ndryshme rreth filmit por edhe rreth situatës në Kosovën a asaj kohe. Një shikuesi pyeti se “a shahet në Kosovë aq shumë?” duke aluduar në fjalorin dhe sharjet e shumta në film. Aktori i ri Val Maloku ishte po ashtu në qendër të vëmendjes. Shikuesit u shprehën se ai shkëlqeu në rolin e Norit duke bërë shikuesin para ekranit të marrë pjesë intensivisht me fatin e dhjetëvjeçarit që e luan në film.

Pas premierës në Köln, filmi ka filluar të shfaqet edhe në disa qytetet tjera të këtij Landi. Në shfaqjet në Münster dhe Düsseldorf ishte i pranishëm edhe ekipi realizues i filmit. Filmi i cili është paranominuar për “Çmimin e filmit gjerman” (Deutscher Filmpreis) do të shfaqet në gjithsej 22 qytete gjermane.