Kultura

Ballkani dhe Kosova në fokus të festivalit në Winterthur

Kosova është e pranishme me 4 filma të shkurtër nga Dokufesti dhe me filmin "Kthimi" të Blerta Zeqirit

Ballkani dhe në këtë kuadër, edhe Kosova, është në fokus të Festivalit ndërkombëtar të  filmit të shkurtë dokumentar  “Kurzfilmtage” që mbahet nga 6  deri më 11 nëntor në Winterthur të Zvicrës. Bëhet fjalë për festivalin më të rëndësishëm të filmit të shkurtë dhe dokumentar që mbahet në Zvicër.

Cili është identiteti i Ballkanit, dhe në përgjithësi, a ka diçka që mund të quhet identitet për këtë gadishull, pastaj aktualiteti, kontradiktat dhe prezantimi i gjithë këtij konglomerati në ekranin e filmit është synim i përzgjedhësve të festivalit.

Për të bërë të mundur një gjë të tillë, në këtë festival, në kuadër të programeve të ndryshme, shfaqen dhjetëra filma dokumentarë dhe të shkurtër nga hapësirat e ish Jugosllavisë. Në mesin e tyre edhe filma në gjuhën shqipe nga Kosova.

Kështu, në programin “Kino Balkan aktuell III: Between Hopes and Illusions” shfaqet filmi i regjisores nga Prishtina Blerta Zeqiri  “Kthimi” që bën fjalë për pasojat tragjike të luftës së fundit në Kosovë. Filmi “Kthimi” shfaqet të shtunën, më 9 nëntor

Në kuadrin e një programi të veçantë, të festivalit të Winterthurit më 8 nëntor jepen katër filma të shkurtë dokumentarë nga Kosova që janë punuar në punëtoritë e zhvilluara gjatë rrjedhës së Dokufestit.

Në portalin e festivalit “Kurzfilmtage”, “Dokufesti” prezantohet si festivali më i madh i filit dokumentar dhe të shkurtër në Kosovë, i cili mbahet nga viti 2002.

Këtë vit Dokufest, me projektin e tij “Human Rights Film Factory – Human Rights Stories from the Kosovo Margins” ka prodhuar gjashtë filma të shkurtër dokumentarë interesantë me temë nga Kosova dhe Ballkani.

Katër nga këta filma do të prezantohen këtë vit në Internationale Kurzfilmtage të Winterthurit. Filmat rrëfejnë tregime që lidhen me momente shpesh absurde, ndonjëherë tragjike por gjithnjë mbresëlënëse nga përditshmëria e sotme e Kosovës.

Filmat nga dokufesti që do të shfaqen në Winterthur janë: “Këpucët e humbura”, i regjisores Shota Bukoshi; “Një ditë me fat”, i Dije Krasniqit dhe Husamedin Lumës; “I kujt është flamuri”, i Baris Karamuço dhe “Prishtina – Beogradi / Pristina – Belgrade”, i regjisorit Srdjan Slavkovic.