Lajme

Banka Botërore mbështet Shqipërinë me 1.2 miliardë dollarë

Paketa e financimit do të mbështesë reformat në tre fusha; qëndrueshmërinë fiskale, nxitjen e sektorit privat dhe mirëqeverisjen e forcimin e sektorit publik

Për planin e 5 vjeçar, Banka Botërore ka ndarë një shumë prej 1.2 miliardë dollarësh për të mbështetur zhvillimin e Shqipërisë. Paketa e financimit, që u miratua nga bordi i drejtorëve ekzekutiv të BB-së është pjesë e programit të ri të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe këtij institucioni.

Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Banka Botërore, thuhet se fondet do të mbështesin Shqipërinë në aspiratat e saj për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe integrim në Bashkimin Evropian. Ndërsa ajo që thuhet është se BB shprehet e kënaqur me progresin e deritanishëm të Shqipërisë në zbatimin e reformave strukturore dhe atyre fiskale.

“Më konkretisht, Banka thotë se paketa e financimit do të mbështesë reformat në tre fusha kryesore; qëndrueshmërinë fiskale, nxitjen e sektorit privat dhe mirëqeverisjen e forcimin e sektorit publik”, thuhet në qëndrimin e BB-së, raportuar nga TCH.

Pas miratimit të paketës, drejtoresha e Bankës Botërore për rajonin, Elen Goldstein, deklaroi se Shqipëria ka një shans historik për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik e integrimin e saj në Bashkimin EVropian.

Shuma prej 1.2 miliardë që Shqipëria do të marrë për pesë vitet e ardhshme është pjesë e tavaneve të paracaktuara të borxhit dhe nuk e rrit atë përtej niveleve të paracaktuara.