Lajme

Banorët: Krusha- Aushvici i Kosovës ku u vranë 241 shqiptarë

Me 24, 25 dhe 26 mars 1999 në Krushë të Madhe të Rahovecit forcat serbe vranë dhe masakruan 241 burra dhe djem shqiptarë. Sot krusknjanët thotë se fshatin e tyre njohët si “Aushvici i Koosvës”.

Qytetarët e rrafshit të Dukagjinit përkujtuan sot 18 vjetorin e njërën nga masakrat më të tmerrshme që bëri regjimi serb mbi popullsinë civile shqiptare në Krushë të Madhe të Rahovecit, duke vrarë dhe zhdukur mbi 240 persona. Banorët u bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës që t’i bëjnë presion Beogradit të dënojë autorët e masakrës dhe të zbardhë fatin e personave të pagjetur.

Në 18 vjetorin e kësaj masakre, institucionet e Kosovës janë kritikuar për dialogun e Brukselit me Serbinë, duke mos e kushtëzuar atë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Shqetësimi ynë për të pagjeturit në përgjithësi dhe për fatin e Ukshin Hotit në veçanti, na tregon se qeveritë tona asnjëherë nuk kanë qenë të denja, serioze e as profesionale në takime me Serbinë. Ne konsiderojmë se kurrë nuk është vonë, andaj kërkojmë nga Qeveria jonë që në këto bisedime të mos i lejojnë vetes nëpërkëmbje e as që BE-ja të injorojë krimet e bëra nga Serbia”, tha Selami Hoti, kryetar i fshatit Krushë e Madhe.

Hoti gjithashtu tha se dy krematoriumet dhe dy varrezat masive e bëjnë Krushën të njihet si Aushvici i Kosovës, citon Kallxo.com.

“Dy krematoriume, dy varre masive… krimi i bërë këtu dihej vetëm përmes historisë sepse për herë të fundit ishte parë në Aushvic. Ende të pagjetur 64. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, ne si familjarë por edhe si krushjanë kemi ngelur me padi e dëshmi nën krah sepse bashkësia ndërkombëtare dhe tani edhe institucionet tona në vend se të merren me dënimin e kriminelëve, këta tani merren me dënimin e qytetarëve të cilët kërkojnë të dinë për fatin e të pagjeturve të tyre se gjoja nxisin urrejtje”, ka thënë Hoti.

Kryetari i fshatit tha po ashtu se çështja e fatit të të pagjeturve duhet të trajtohet si çështje e veçantë nga institucionet ndërkombëtare dhe ato të vendit.

“Kërkojmë që faktori ndërkombëtar të bëjë trysni mbi Beogradin  në zbardhjen e fatit të të pagjeturve ndërsa nga Qeveria jonë kërkojmë përfaqësim dinjitioz si shtet karshi shtetit në bisedimet direkte me Serbinë duke e trajtuar këtë çështje të veçantë ashtu siç edhe është e veçantë”, theksoi Selami Hoti.

Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit, nënat krushjane i quajti krenari të Kosovës.

“Janë nënat krushjane që treguan guxim dhe fuqi në luftën për mbijetesë, duke u bërë kështu krenaria e fëmijëve të tyre dhe e Kosovës por edhe njëra prej historive më madhështore në botë”, tha Vehapi.

Kurse Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të Pagjeturit, tha se bashkësia ndërkombëtare do të pranojë se mbi popullin e Kosovës është kryer gjenocid.

“Fatin dhe ngjarjet që ndodhën gjatë muajit mars, prill, maj të vitit 1999 si dhe më parë janë dëshmi e një gjenocidi dhe herëdokur bashkësia ndërkombëtare dhe autoritetet ndërkombëtare kanë me qenë të obliguara, s’po them të detyruara që ta pranojnë që mbi këtë popull është bërë gjenocid”, tha Gjetaj.

Ndërsa aktivisti i fshatit Kadri Dellova ka thënë se janë 150 gra kryefamiljare të cilat me punën e tyre janë bërë krenaria e Kosovës.

“Sot në Krushë të Madhe kanë mbetur 150 gra kryefamiljare pa burra dhe kemi 521 fëmijë jetimë, 8 familje kanë mbetur pa asnjë mashkull të shtëpisë… Sot këto nëna kryefamiljare janë fermere të mira por janë bërë edhe krenaria e Kosovës me punën e tyre”, ka thënë Dellova.

Ndryshe, Me 24, 25 dhe 26 mars 1999 në Krushë u vranë dhe u masakruan 241 qytetarë. 206 nga Krusha si dhe 35 të tjerë të zhvendosur nga fshatrat Xërxë, Reti, Apterushë, Zoqisht, Carralevë, Prizren e vende të tjera që në ato ditë ishin strehuar në fshat.

Ndërkaq, në një postim në “Facebook”, presidenti Hashim Thaçi masakrën në Krushë të Madhe e ka quajtur një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare.

“Forcat ushtarake dhe policore serbe vranë mbi 243 persona: fëmijë, të rinj, të reja, gra, burra dhe pleq. Edhe në këtë përvjetor shpreh dhembjen për familjet që pësuan rëndë nga ushtrimi i dhunës shtetërore serbe në vitet 1998 -1999”, ka shkruar Thaçi, i cili u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që “sa më parë të hetojnë këto vrasje dhe masakra kudo në Kosovë”.