Zhvillim

«Barazi të plotë me maqedonasit ose federalizëm»

Një numër i madh shqiptarësh, kryesisht nga Maqedonia, kishin ardhur në Schlieren të Cyrihut për të dëgjuar Zijadin Selën dhe Vesel Memedin, si zëra alternativ të politikës nga vendlindja

  • albinfo.ch: Tubimi

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch: Tubimi

  • albinfo.ch: Zijadin Sela

  • albinfo.ch

«Na duhet mendja dhe përgatitja juaj që ta bëjmë gati popullin për revolucionin mental i cili do t`i paraprijë edhe revolucionit fizik që duhet të ndodhë patjetër në Maqedoni dhe në Ballkanin perëndimor». Kështu ka thënë veç tjerash kryetari i RDK Vesel Memedi, i cili bashkë me Zijadin Selën, kryetar i LRPDSH kanë mbajtur një tubim me bashkatdhetarët në Cyrih, mbrëmjen e të shtunës. Dhe, në fakt, një frymë e domosdoshmërisë së ndryshimit ndjehej në ajër, në sallën e sporteve ku u mbajt tubimi.

Albinfo.ch ka qenë në këtë takim dhe përcjell për lexuesit e saj atmoserën që ka mbretëruar.

Një numër i madh shqiptarësh, kryesisht nga Maqedonia, kishin ardhur me interesimin për të dëgjuar një zë alternativ të politikës nga vendlindja. Në këtë masivitet dhe në pyetjet e shumta gjatë debatit, pasqyrohej zhgënjimi me klasën politike në pushtet po dhe me atë në opozitë. Një gjendje dëshprimi kjo që te shqiptarët e Maqedonisë duket të ketë arritur në pikën kritike kur kërkohen ndryshime dhe alternativa. Prandaj, Zijadin Sela dhe Vesel Memedi, dy kryetarë partish të cilët janë vënë në krye të koalicionit «Aleanca për Shqiptarët» u prezantuan dhe u pritën si ajo alternativa që po kërkohet.

Duke iu drejtuar masës në Schlieren të Cyrihut, Zijadin Sela disa herë ka përmendur «25 vjetët e dështimit», duke folur për çerekshekullin nga viti 1990, kur në Maqedoni qe instaluar ai që quhet `sistem demokratik`. «Nëse nuk dëshironi që kjo agoni të vazhdojë, na jepni një shans për katër vjet. Nuk premtojmë mrekullira, nuk kemi shkop magjik për të zgjidhur problemet e grumbulluara por ne do të hapim rrugën në atë drejtim duke vendosur parime dhe kushte mbi të cilat nuk do të shkelim», ka thënë veç rjerash Sela, raporton albinfo.ch. Ai me këtë rast ka premtuar se nëse nuk do të ketë sukses t`i realizojë synimet e proklamuara, do të tërhiqet nga politika.

BDI-ja në thumb të kritikës

Tehu i kritikës së Selës dhe Mehmedit gjatë takimit që ka zgjatur më shumë se tri orë, është drejtuar nga BDI-ja e Ali Ahmetit, e cila ka qenë në qeveri pothuaj gjatë tërë kohës nga lufta e këndej dhe pjesërisht edhe nga PDSH-ja e Menduh Thaçit.

Ata kanë thënë se kjo klikë që ka ardhur në pushtet me aureolin e fitimtarëve të luftës, vetëm sa e ka degraduar pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas tyre, kjo gjendje sot është edhe më e keqe se para luftës dhe madje edhe se në kohën e ish Jugosllavisë. Këtë konstatim Zijadin Sela e ka mbështetur veç tjerash me zgjidhjet gjysmake që qeveria ku participon edhe partia më e madhe shqiptare, u ka bërë shumicës së çështjeve të shtruara për zgjidhje. Në këtë kontekst ai e konsideron si hap mbrapa të shqiptarëve edhe definicionin kushtetues të gjuhëve zyrtare në Maqedoni.

«Është diskriminuese vet mënyra se si është definuar gjuha shqipe në kushtetutë, pa u përmendur askund si e tillë. Ajo vetëm nënkuptohet nën fjalët `gjuha e cila flitet nga më shumë se 20% e popullatës`, dhe nuk emërtohet si gjuhë shqipe», ka thënë Sela, raporton albinfo.ch. Ndërsa me ardhjen në qeveri të partisë së tij dhe Aleancës Shqiptare, ndër punët e para do të jetë definimi i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe si element plotësisht i barabartë me maqedonasit gjegjësisht me gjuhën maqedonase.

Sela: Barazi e plotë me maqedonasit ose federalizëm!

«Do të vendosim parimin e barazisë së plotë, që shqipja të jetë e barabartë në gjithë shtetin, të mos varet nga 20 përqindëshi ose përqindje tjera. E nëse nuk pranohet kjo, pra nëse maqedonasit nuk duan që shqipja të jetë gjuhë zyrtare edhe në Strumicë ose vende tjera pa shqiptarë, ne e kemi alternativën tjetër: të bëhemi shtet binacional ose edhe federatë. Atëherë shqipja do të jetë e detyrueshme në pjesën me shqiptarë dhe anasjelltas».

Po këtë parim, të federalizmit Sela e ka përmendur edhe në kontekstin ekonomik. Ai ka theksuar se trevat ku jetojnë me shumicë shqiptarët, janë që në start të diskriminuara sa u përket investimeve të jashtme që i përfiton Maqedonia. Ato pothuaj të gjitha shkojnë në zonat me shumicë maqedonase. Dhe e gjithë kjo, në një kohë kur, nga viti 2002 e këndej, ministra të ekonomisë në Maqedoni kanë qenë shqiptarët», ka përkujtuar Sela në fjalën e tij.

Me ton kritik, dy mysafirët nga Maqedonia kanë folur edhe për proceset si «Monstra», tragjedinë në Kumanovë, aferën e «bombave të Zajevit» etj. Ata janë zotuar se në rast të ardhjes së tyre në pushtet këto dhe çështjet tjera do të marrin rrugën e zgjidhjes.

Rreth votimit nga diaspora, Zijadin Sela ka theksuar se mjerisht kjo e drejtë sa u takon shqiptarëve jashtë vendit, është tërësisht e degraduar. «Votoni edhe 100% po deshët se do ta keni kot: shqiptari nga diaspora nuk zgjidhet në Parlamentin e Maqedonisë, shkruan albinfo.ch. Kjo për shkakun se, atje vlen parimi stalinist se `nuk është me rëndësi kush voton por kush i numëron votat`. Prandaj, shqiptarët janë të destinuar të humbin».

Sela dhe Memedi kanë kërkuar angazhim të mërgimtarëve që me ndikimin e tyre te familjarët dhe rrethi shoqëror në vendlindje, por edhe me votën e tyre personale, të kontribuojnë në ndryshimin që i nevojitet urgjentisht pozitës së shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe, ky ndryshim vjen duke e hequr `klikën sunduese`, gjegjësisht duke votuar me shumicë për Aleancën Shqiptare.

Një numër i madh mërgimtarësh të pranishëm, të shqetësuar me gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, kanë shtruar pyetje të ndryshme duke kërkuar qartësi, unitet dhe realizëm në qëndrimet e klasës politike që po pretendon pushtetin në zgjedhjet e ardhshme.

Fotot: Xhema Rushiti