Sport

Barcelona padit futbollistin më të shtrenjtë në botë

Tani klubi katalonas thotë se Neymari ka shkelur një pikë të kontratës të cilën e kishte nënshkruar në tetor të vitit të shkuar

Barcelona padit futbollistin më të shtrenjtë në botë

Barcelona do të padisë ish-futbollistin Neymar për 8.5 milionë euro për kalimin e tij rekord prej 222 milionë eurosh te Pari Saint-Germani më herët gjatë verës.

Braziliani në gusht kompletoi kalimin te francezët pasi francezët paguan klauzolën e tij rekorde, duke e bërë transferimin më të shtrenjtë në histori të futbollit.

Tani klubi katalonas thotë se Neymari ka shkelur një pikë të kontratës të cilën e kishte nënshkruar në tetor të vitit të shkuar.

Klubi po kërkon “8.5 milionë euro si dëmshpërblim dhe 10 për qind shtesë në interes”.

Barcelona e lidh këtë me një bonos të cilin ia pagoi Neymarit kur u arrit marrëveshja vitin e shkuar. “Klubi ka vendosur të ndërmarrë këto veprime si mbrojtje e interesave të veta”, thuhet në njoftim.

Neymari kishte kritikuar drejtuesit e klubit të dielën pasi shënoi dy gola në debutimin e tij në shtëpinë e Parisit në fitoren 6 me 2 ndaj Touloset.

“Kam kaluar katër vjet të bukura dhe pjesërisht të lumtura. Por jo me bordin”, kishte thënë 25-vjeçari. “Për mua, ata nuk janë njerëzit që duhet të jenë aty, për drejtimin e Barcelonës. Barça meriton më shumë”.