Integrimi

Bardhyl dhe Maria Coli, kandidatë për çmimin më të madh zviceran për hotelieri

Ka afër dy vjet që Maria dhe Bardhyl Coli e drejtojnë hotelin Viznauerhof në Vitznau gjatë verës dhe hotelin Waldhotel në Davos, gjatë dimrit. I gjithë personeli e ndërron vendin e punës në varësi nga sezoni: gjysmë viti në Vitznau dhe gjysmën tjetër në Davos

 

Nga 97 kandidatura, juria ka zgjedhur 14 projekte për çmimin e sivjetshëm për turizëm, “Milestone Tourismuspreis”, shkruan luzernerzeitung.ch. Ky është çmimi zyrtar i hotelerisë zvicerane. Është i dotuar me 32500 franga dhe ndahet në Bernë më 15 nëntor.

Në mesin e të nominuarve është edhe projekti i udhëhequr nga hotelieri i suksesshëm shqiptarozviceran Bardhyl Coli dhe partnerja e tij, Maria, përcjell albinfo.ch. Ai është nominuar për kategorinë inovacionit, sepse edhe mënyra e punës së hoteleve që menaxhon çifti, është mjaft inovative.

Ka afër dy vjet që Maria dhe Bardhyl Coli e drejtojnë hotelin Viznauerhof në Vitznau  gjatë verës dhe hotelin Waldhotel në Davos, gjatë dimrit. I gjithë personeli e ndërron vendin e punës në varësi nga sezoni: gjysmë viti në Vitznau dhe gjysmën tjetër në Davos.

E veçanta në këtë rast është se dy hotelet kanë pronarë krejt të ndryshëm dhe krejtësisht të pavarur nga njëri tjetri, shkruan albinfo.ch. Vetëm të punësuarit dhe çifti i drejtorëve janë lidhja në mes të dy firmave, të cilët kështu kanë mundësi t`i shfrytëzojnë resurset në mënyrë optimale.

Kjo shpërndarje e bashkëpunëtorëve mund të bëhet e ardhmja e të gjitha ndërmarrjeve sezonale hoteliere ndërsa hotelet e përmendura janë avangardë në këtë drejtim.

Bardhyl Coli pak vite më parë qe zgjedhur si drejtori më i ri dhe i suksesshëm i një hoteli luksoz në Zvicër.

“Njëri për të dytë, të dytë për njërin, Maria dhe Bardhyl Coli, Hotel Vitznauerhof dhe Waldhotel Davos” është motoja e çiftit të nominuar për shpërblim.

 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriBardhyl  Coli
  • Prejardhja:Kosovë
  • Vendi ku vepron:Zvicër
  • Profesioni:Hotelier