Integrimi

Bardhyl dhe Maria Coli marrin çmimin “Hotelierët në ngritje” për sezonin 2017/2018

Bardhyli së bashku me bashkëshorten e tij Maria Coli kanë marrë çmimin e hotelierëve të vitit në ngritje(“Aufsteiger des Jahres”).

Në solemnitetin e mbajtur të hënën në kuadrin e vernisazhit të librit “Die 150 besten Hotels in der Schweiz 2017/2018” (150 hotelet më të mirë të Zvicrës 2017/2018) është shpërblyer edhe hotelieri i ri shqiptar Bardhyl Coli, njofton albinfo.ch. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij Maria Coli kanë marrë titullin e hotelierëve të vitit në ngritje (“Aufsteiger des Jahres”).

Bashkëshortët Coli njihen për menaxhimin e dy hoteleve luksoze në dy vende të ndryshme të Zvicrës, të destinuar për dy lloje turizmi. Gjatë dimrit ata janë në krye të hotelit “Waldhotel” në Davos, ku është përqendruar turizmi dimëror e i skitarisë ndërsa gjatë verës, çiftin Coli e gjejmë në krye të hotelit “Vitznauerhof” në Vitznau, buzë liqenit Vierwaldstättersee, në Zvicrën Qendrore .

Në të vërtetë, 80 për qind të personelit të d hoteleve ndërrojnë vendin e tyre të punës, varësisht nga sezoni, sqaron Bardhyli në një prezantim në portalin zentralplus. “Ne jemi si një familje, në mesin e 42 punëtorëve tanë, një numër janë çifte bashkëshortorë”.

Në këtë prezantim, Bardhyli 33 vjeçar ka treguar edhe për ambiciet e tij politike. “Kur shikon në të ardhmen, ai sheh edhe sfida. “Ne duhet që Vitznau-n ta bëjmë më të njohur dhe si bashkësi hoteliere të jemi një forcë politike”, thotë ai, transmeton albinfo.ch. Coli bën pjesë në FDP (Parti Liberale) dhe përpiqet që me zërin dhe votën e tij të luftojë për kushte më të mira në degën e hotelerisë. “Nganjëherë them se demokracia mund të funksiononte më shpejt”, shpreh dëshirën ai.

Drejtori më i ri i një  hoteli luksoz në Zvicër

Bardhyl Coli është hotelier i diplomuar ndërsa punën dhe kualifikimin e tij në hotelieri, ai e ka filluar që nga viti 2000. Ky shqiptar 33 vjeçar, i ardhur nga Kosova në Zvicër si vogëlush 8 vjeçar, ka disa vite që është mjaft i pranishëm në mediat zvicerane si menaxher i suksesshëm hotelier, shkruan albinfo.ch. Para katër vitesh ai ka qe shpallur drejtori më i ri në Zvicër i një hoteli të kategorisë luksoze siç është Waldhotel në Davos.