Integrimi

Bardhyli nga Klina, drejtor i suksesshëm i hoteleve luksoze zvicerane

I bërë i njohur fillimisht në vitin 2012 si drejtori më i ri i një hoteli luksoz të Zvicrës, Bardhyli, gjatë viteve në vijim ka qenë vazhdimisht në fokus të medieve për arritjet e tij në hoteleri

Është vetëm 33 vjeç por ka së paku pesë vjet që e gjejmë vazhdimisht në mediet zvicerane. Aty jep shembullin e mirë të një profesionisti të shkëlqyer të fushës së vet, hotelerisë por edhe të një shqiptari të integruar me vlera në Zvicër. Është ky Bardhyl Coli, një “Enfant terrible” i hotelerisë zvicerane, i lindur në një fshat të Klinës, në Kosovë.

Bardhyl Coli dhe Maria Redlich

I bërë i njohur fillimisht në vitin 2012 si drejtori më i ri i një hoteli luksoz të Zvicrës, Bardhyli, herë individualisht dhe herë me bashkëshorten e tij Maria Redlich, gjatë gjithë viteve në vazhdim ka qenë të thuash nën dritat e reflektorëve. Jo se ai është imponuar por mbi bazën e punës me sukses, është bërë i çmuar dhe i kërkuar gjithandej. Kështu, ai së bashku me të shoqen është shpërblyer vitin e kaluar për punën e tij inovative, në menaxhimin e dy hoteleve në dy sezone të ndryshme me punëtorët e njëjtë. Bëhet fjalë për një përvojë që më parë nuk ishte praktikuar në Zvicër dhe për këtë Bardhyli dhe Maria janë shpërblyer si menaxherët më inovativë.

Hoteli “Waldhotel” në Davos të Graubündenit, i cili ndodhet në një vend të njohur për turizëm dimror dhe hoteli “Vitznauerhof” në Vitznau, buzë Liqenit Vierwaldstättersee. Ndërsa në fillim të vitit 2017 ata kanë marrë edhe çmimin “Auftsteriger des Jahres” (Hotelierëve në avancim) për sezonin 2017/2018 në Zvicër.

Hoteli “Vitznauerhof”

Nga Kosova e kujton shtëpinë e madhe e me shumë fëmijë

Në një intervistë për numrin special të albinfo.ch që i kushtohet hotelerisë dhe gastronomisë, Coli, tek flet për punën dhe sukseset e tij, tregohet fjalëpak por përmbajtjesor. Ndonëse në vlugun e punëve – kur dihet se dhjetori është “bereqeti” i gjithë vitit në shumë hotele – ai ndau nga koha e tij e çmuar për një bashkëbisedim të shkurtër.

I ardhur në Zvicër në moshën 8 vjeçare dhe duke u sjellë në një ambient pune me pak shqiptarë, Bardhyli e flet dhe e shkruan rrjedhshëm gjuhën e nënës. Ai thotë se nga koha e shkurtë e jetës në Kosovë, e kujton me ëndje shtëpinë e madhe. “Aty jetonim bashkë, ishim shumë fëmijë, dhe luanim lojëra të ndryshme. Ishte kënaqësi e vërtetë”, kujton ai. Ndërsa me ardhjen në Zvicër, gjithçka do të kthehej fillimisht mbrapsht për të marrë me kohë trajtën e dëshiruar te integrimit në shoqërinë e re. I pyetur se a i është që si i huaj të dëshmohej më shumë se të tjerët, ai përgjigjet: “Normalisht se po. Kam ardhur këtu në moshë shkollore, pa pasur as  njohuritë elementare të gjuhës gjermane. Por kam hasur edhe në përkrahje të madhe nga mësimdhënësit, të cilët, në baza vullnetare, më kanë ndihmuar në mësimin plotësues në gjuhën gjermane”, plotëson ai.

Hoteleria, “profesion ëndrrash” që nga fëmijëria

Në moshën kur është dashur të zgjedhë profesionin jetësor, Bardhyli, pa dilema është përcaktuar për hoteleri, gjegjësisht për menaxhimin e hoteleve. Ai pastaj ka mbaruar gjithë shkolimin e nevojshëm për këtë profesion, përfshirë edhe kualifikimet për gastronomi dhe për “somelier” (njohës i verërave dhe i përshtatjes së tyre me ushqimin). “Unë jam përcaktuar për punën në hoteleri që në moshë të hershme ngase më së shumti më ka pëlqyer menaxhimi i hoteleve. Ky ka qenë, si me thënë, profesioni i ëndrrave të mia që nga fillimi”, shprehet bashkëbiseduesi ynë.

Pyetjes se cilat i konsideron si përvojat e tij më të çmuara në këto rreth 10 vite të punës në hotelerinë kulminante, ai i përgjigjet se përvoja të tilla janë ato që lidhen me  sukseset në menaxhimin e hoteleve luksoze në Zvicër. “Ndërsa çmimi më i rëndësishëm për mua ka qenë kur ne jemi nominuar për kategorinë e hoteleve më inovative, në vitin 2016. Në vitin e kaluar një moment i dalluar ka qenë cilësimi në gazetën “Tages Anzeiger” si menaxher i suksesshëm”.

Inovativ

Kur jemi te çmimi për inovacion që e ka fituar në vitin 2016 ai thotë: “Ne e kemi udhëhequr gjatë dimrit hotelin “Waldhotel Davos” ndërsa gjatë verës atë në “Vitznauerhof” ne Vitznau. Këtë e kemi bërë me të njëjtit punëtorë, kurse pronarët e dy hoteleve kanë qenë të ndryshëm. Pra kjo ka qenë e veçanta ose inovativja në punën tonë”. Rreth 80 për qind të punëtorëve pra kanë punuar njërën gjysmë të vitit në njërin hotel dhe gjysmën tjetër në hotelin tjetër.

Si ekspert i hotelerisë tashmë, i shkolluar dhe specializuar në Zvicër, Angli, Gjermani e gjetiu, Bardhyl Coli mund të flasë me kompetencë që ia jep profesoini, edhe për hotelerinë në vendin e prejardhjes, në Kosovë dhe në Shqipëri. Ku çalon pra puna atje, kur dihet se, sidomos në Shqipëri, ka kushte të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit? “Unë mendoj se shkollimi praktik në hoteleri te shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri mungon. Mungon po ashtu edhe promovimi i gjërave, resurseve vendore në Shqipëri sidomos valorizimi i arkitekturës po edhe i ushqimeve të vendit”, thotë shkurt, Coli. Ndërsa ai pranon se në Zvicër ka mjaft shqiptarë që kanë bërë avancim në karrierën e tyre si në hoteleri ashtu dhe në gastronomi.

Braktisin hotelet që i drejtonin me sukses, në kërkim të sfidave të reja

Në kulmin e suksesit dhe pse jo, edhe të famës, Bardhyli dhe Maria ditë më parë kanë njoftuar se do të braktisin dy hotelet të cilat i kanë menaxhuar deri tash. Këtë e bëjnë në kërkim të sfidave të reja profesionale, kanë shkruar mediet zvicerane. I pyetur nga albinfo.ch, z. Coli e konfirmon këtë. Dhe si gjithnjë fjalëpak, thotë: “Po, është e vërtetë që do të ikim. Po mendojmë të vazhdojmë me menaxhimin e hoteleve ndërsa për hapat tanë të ardhshëm do të ju informojmë më vonë”.

Sidoqoftë, duke përfituar nga biseda dhe nga fakti se jemi në kohën e festave të fundvitit, ne e pyetëm hotelerin kulminant dhe somelierin Bardhyl Coli për preferencat e tij rreth kombiniminimit të verës dhe usqimit në darkën e fundvitit. “Unë do të ju preferoja peshk të liqeneve të Zvicrës dhe verë të bardhë nga Graubündeni”, thotë Coli duke iu drejtuar lexuesve tanë me fjalët: “Ju uroj një vit të ri të mbarë!”