Lajme

BDI: S’ka koalicion të domosdoshëm me LSDM-në

Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së ka thënë se partia e tij është e gatshme të kaloj në opozitë në qoftë se Zoran Zaevin, nuk e pranon platformën shqiptare

Prishja e partneritetit me VMRO DOPMNE-në, nuk i siguron koalicion të domosdoshëm LSDM-së me BDI-në. Madje Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së ka thënë se partia e tij është e gatshme të kaloj në opozitë në qoftë se Zoran Zaevin, nuk e pranon platformën shqiptare dhe nuk realizon marrëveshje të shkurruar për koalicion.

Por, ky kërcënim i Ahmetit për të kaluar në opozitë, sipas analistëve në Shkup, ndihmon VMRO-DPMNE-në që të realizojë skenarin për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme. Madje njohësit e çështjeve politike i kanë quajtur të pa sinqerta paralajmërimet e Ahmetit se mund të mos bëhet pjesë e qeverisë së re për të ti hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës për të.

Ata vlerësojnë se shqiptarët ndëshkuan Ahmetin në zgjedhje pikërisht për shkak të koalicionimit me Gruevskin.

“Shkuarja e BDI-së në opozitë me këto numra ia mundëson VMRO-së realizimin e skenarëve për përsëritje të zgjedhjeve për të marrë një numër më të madh të deputetëve dhe për të ndryshuar situatën aktuale të numrave në Kuvend” deklaroi Sulejman Rushiti, ish politikan.

“Nëse është e vërtet se dëshiron të mbetet në opozitë ai në mënyrë indirekte punon në favor të Gruevskit që kriza të thellohet, qeveri të mos ketë, ndërsa institucionet edhe ashtu janë në duar të partive”, tha ndërkaq analistë Xhevdet Hajredini.

Nga ana tjetër ish-nënkryetari i BDI-së Nazmi Beqiri, në emisionin “Rruga Drejt…” ka thënë se Ahmeti duhet të mbajë llogari më tepër për përmbushjen e platformës shqiptare se sa për formimin e qeverisë. “Le të realizohen kërkesat tona dhe ne vazhdojmë më tutje. Nëse do ketë vendi qeveri apo jo, kjo duhet ti interesoj edhe palës tjetër” u shpreh Beqiri.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit me komisionerin Johanes Han deklaroi se janë duke i pritur materialet e shkruara nga LSDM-ja. Pasi ti marrin këto material, ai tha se do të thirret Këshilli Qendror i partisë për të vendosur hapat e mëtutjeshëm. “Pa materialet eshkruara, LSDM-ja nuk do ti marr nënshkrimet e BDI-së”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti kërkon që marrëveshja për qeverinë të firmoset dhe dokumentohet, ndërsa më pas të zbatohet në tërësi.

Madje, vetë Ahmeti ka thënë se partia e tij po shqyrton seriozisht mundësinë që të mbetet në opozitë, nëse Zaev nuk i përmbushë kriteret e shqiptarëve.