E-Diaspora

Behrami me futboll e ka siguruar qëndrimin në Zvicër

"Duke iu falënderuar futbollit kam realizuar ëndrrën e jetës sime: kisha mundësi të siguroj paratë për të rindërtuar shtëpitë që të afërmit e mi i humbën gjatë luftës", ka shtuar Behrami.

Valon Behrami ka treguar se futbolli i ka mundësuar që së bashku me familje të sigurojë qëndrimin në Zvicër. Behrami 27-vjeçar ka lindur në Mitrovicë, ndërsa në moshën katërvjeçare është shpërngulur në Zvicër. Në këtë vend nisi karrierën si futbollist, ndërsa tani llogaritet ndër lojtarët më të mirë shqiptarë.

“Ne u detyruam të lëshonim Kosovën pasi nisi lufta. Unë isha katër vjeç, përjetova momente dramatike. Me babanë, nënën dhe motrën u desh që të linim të gjitha në nxitim dhe të shkojmë në Zvicër, në Stabio ku familja ime siguronte jetesën nga dita në ditë”, ka nisur tregimin e tij Behrami.

“Në shkollë fillimisht sporti im ishte atletika. Kam vrapuar në 1500 e 5000 metra. Familja ime ishte emigrante dhe kur isha 14-vjeçar na thanë se duhet të largoheshim nga Zvicra e të ktheheshim në Kosovë. Në atë periudhë vendosa të luajë futboll dhe ky ishte një shpëtim, pasi përmes futbollit takova një person të përfshirë në politikë që na ndihmojë të qëndrojmë atje. Nisa të hyja në botën e futbollit duke luajtur për përzgjedhjen rajonale e më pas edhe me ekipin përfaqësues të Zvicrës. Kështu mora shtetësinë dhe më nuk kishte probleme për qëndrim në Zvicër”, ka shtuar Behrami, shkruan sot “Koha Ditore”.

Behrami në verë kaloi në Napoli të Serie A, pasi më parë luajti për Fiorentinën, West Hamin, Lazion e skuadra të tjera në Itali e Zvicër.

Ai thotë se futbolli i ka ndihmuar të realizojë ëndrrën që kishte.

“Kam shtëpinë në Lugano, një qytet i qetë. Nganjëherë shkoi atje dhe qëndroi katër pesë ditë për të mbushur bateritë. Duke iu falënderuar futbollit kam realizuar ëndrrën e jetës sime: kisha mundësi të siguroj paratë për të rindërtuar shtëpitë që të afërmit e mi i humbën gjatë luftës”, ka shtuar Behrami.