Integrimi

Benjamin Ferati, heroi i Vlorës

Dy kushërira po kërkonin ndihmë dhe Benjamini ka hyrë për t’i shpëtuar ku njërin e ka nxjerr në breg, por nuk arriti të shpëtojë, derisa ka hyrë edhe një herë për të nxjerrë të tjetrën, por asnjëri nuk doli i gjallë

Benjamin Ferati humbi jetën të shtunën në Zvërnec të Vlorës, por ai do të mbahet mend përgjithmonë.

Ferati nga Kamjani i Tetovës, duke tentuar të shpëtojë dy vajza humbi jetën në dallgët e bregdetit shqiptar. Edhe pse të dy gratë nuk arritën të shpëtojnë 24-vjeçari sakrifikoi jetën e tij, duke mos arritur të dalë i gjallë, raporton albinfo.ch.

Dy kushërira po kërkonin ndihmë dhe Benjamini ka hyrë për t’i shpëtuar ku njërin e ka nxjerr në breg, por nuk arriti të shpëtojë, derisa ka hyrë edhe një herë për të nxjerrë të tjetrën, por asnjëri nuk doli i gjallë. Edhe pushuesit tjerë janë mundur të hynë, por ishin penguar nga dallgët e mëdha. Me Benjaminin ishin edhe e dashura e tij, që ka mbetur e shokuar.

Pas kësaj ngjarje tragjike, ishin të shumta komentet, duke u lutur për djaloshin e ri nga Tetova, i cili sakrifikoi jetën e tij në dallgët e bredetit shqiptar. Ai është varrosur të dielën në fshatin e tij të lindjes, ku morën pjesë mijëra banorë të dielën.

Ndërkohë, përmes një statusi në ‘Facebook’ kreu i Departamenti të Emigracionit dhe Diasporës në PD dhe deputeti i ardhshëm, Bardh Spahia ka reaguar për ngjarjen në Vlorë ku brenda një dite u mbytën 4 persona.

Spahia sjell në vëmendje premtimet e kryeministrit Edi Rama për shërbimet e rojeve në plazhe, ndërsa bën përgjegjës pikërisht kryeministrin i cili sipas tij po tregon indiferencë totale përballë kësaj situate. Ai propozon gjithashtu që të riut Benjamin Ferati, i cili humbi jetën duke u munduar të shpëtojë dy jetë njerëzish t’i akordohet një medalje për aktin e tij.