Sport

Berat Sadiku, nga Helsinki në FC Thun

Me këtë veprim, skuadra e madhe nga qyteti i vogël Thun i Bernës ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të hyrë e përforcuar në sezonin e ri

 

Sulmuesi i shquar shqiptar Berat Sadiku, që luante në ligën finlandeze dhe po ashtu për kombëtaren e këtij vendi, është angazhuar nga FC Thun i Zvicrës. Me këtë veprim, skuadra e madhe nga qyteti i vogël Thun i Bernës ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të hyrë e përforcuar në sezonin e ri.

Sadiku 26 vjeçar deri më tash ka luajtur për klubin HJK Helsinki. Në sezonin 2008-2009 ai ka luajtur madje në Bundesligën gjermane për Bielefeldin, ku është angazhuar në 13 ndeshje.

Shefi sportiv i FC Thun me këtë rast ka deklaruar për mediet zvicerane se “kryetrajneri Urs Fischer dhe shtabi i tij janë shumë të bindur për kualitetet e sulmuesit të ri. Unë jam i kënaqur që ai sot, pas negociatave të gjata, është bërë pjesë e ekipit tonë”.

FC Thun aktualisht është duke i zhvilluar stërvitjet në një kamp në bregdetin turk, në Belek.

Për FC Thun deri në vitin që shkoi ka luajtur ylli shqiptaro-zviceran Milaim Rama, i cili qe bërë edhe ikonë e këtij klubi.