Lajme

“BESA” synon rimëkëmbjen e shqiptarëve në Maqedoni

Lëvizja BESA është një nga subjektet e reja politike shqiptare në Maqedoni që i ka hyrë betejës politike në një periudhë kur Maqedonia po përballet me një krizë të thell politike.

Kryesisht personalitete të reja politike dhe njerëz të respektuar përbëjnë kreun e këtij subjekti politik që në vetvete ngërthen edhe të ashtuquajturën ‘intelektualë të rinj’, ‘esnafin’ e mirënjohur të Shkupit dhe shumë emra të rinj që i kanë hyrë betejës politike.

Kjo parti ka nisur të strukturohet gati në të gjitha pjesët e vendit me degë dhe zyra të mirëorganizuara partiake.

Afrim Gashi një nga udhëheqësit e këtij subjekti politik shpalos gjitha detajet për Albinfo.ch, lidhur me qëllimin dhe misionin që ka ky subjekt politik dhe që mban një emrin ‘BESA’ një logo shkronjash që nënkupton shumëçka tek shqiptarët dhe tradita e tyre. Ate e takuam në zyrat partiake në Shkup ku ishin tubuar shumë të rinj entuziastë dhe qytetarë të zhgënjyer nga partitë e tjera politike dhe që po bënin aktivitetin e organizuar partiak.

“Në Maqedoni ka kohë që po mbretëron një gjendje e pashpresë e shqiptarëve si në spektrin e të drejtave kombëtare shqiptare po ashtu edhe ato qytetare. Vazhdojnë proceset e montuara politike, ku shqiptarët dënohet me burgime të përjetshme pa pasur pikë faji, vazhdon diskriminimi i arsimit shqip. Për diskriminimin ekonomik as që ia vlen të flitet – për këtë arsye viteve të fundit shpërngulja e shqiptarëve nga Maqedonia ka marrë përmasa marramendëse, ndërsa mjetet buxhetore gati plotësisht u dedikohen maqedonasve duke ndërtuar projekte megalomane si ai Shkupi 2014. Në anën tjetër shteti ende vazhdon të mbahet gjallë në sajë të remitencave që kurbetçinjtë shqiptarë çdo vit i sjellin në vendlindje dhe kjo shumë e të hollave, sipas ekonomistëve, arrin edhe 1 miliardë euro në vit. Në mënyrë të njëjtë vazhdon edhe diskriminimi shëndetësor, kulturor, social, bujqësor e urbanistik”, këto janë vetëm disa nga çështjet që na kanë detyruar për t`i hyrë betejës politike.

 

Sfidat e një grupi të  intelektualëve të rinj

Grupi themelues përbëhet nga intelektualë të rinj, të cilët kanë përfshirë gati të gjitha rrethet e vendit. Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami është një ekspert në lëminë e ekonomisë dhe profesor universitar.

Ai sqaron edhe arsyet personale të tij dhe bashkëveprimtarëve apo intelektualëve të rinj se përse filluan këtë rrugëtim politik.

“Duke u gjendur para një situate të rëndë dhe duke humbur çdo shpresë se subjektet politike shqiptare mund ta përmirësojnë këtë gjendje, ne ishim të shtyrë nga ndërgjegjja intelektuale, personale e kolektive, por edhe nga vullneti për liri që të mblidhemi rreth një platforme politike që do t’i luftojë këto dukuri e do ta kthejë dinjitetin e shqiptarëve në këtë vend. Ne ishim thellë të bindur se kjo situatë mund të përmirësohet dhe ne mund ta japim atë që posedojmë nga vetvetja që gjërat të marrin të mbarën. Indiferenca, qëndrimi anash dhe heshtja na bënte të ndjehemi si bashkëpjesëmarrës në këtë katrahurë. Andaj vendosëm të themelojmë një subjekt të ri politik shqiptar, i cili doli në kohën kur dy partitë, deri atëherë më të mëdha, u përfshinë plotësisht në qeverisje (njëra në qeveri e tjetra në presidencë), ndërsa RDK-ja pati deklaruar se do ta mbyll aktivitetin e saj politik. Në këso gjendje, kur shqiptarët mbetën pa asnjë subjekt politik opozitar, pikërisht atëherë u themelua Lëvizja BESA, e cila përveçse e ndjente për detyrim ta mbulojë këtë fushë, solli edhe një mendësi të re në veprimin dhe ligjërimin politik te shqiptarët e Maqedonisë”, thekson Kasami.

Reprezentuesit e “BESËS” janë të hapur për çdo pyetje lidhur me mëdyshet e krijuara dhe zërat që qarkullojnë në opinionin politik. Lidhur me zërat se kjo parti është një subjekt apo filialë e partisë turke AK të presidentit Taip Erdogan dhe prania e elementeve të theksuara fetare, ata theksojnë se këto janë shpifje dhe tendenca që vijnë nga njerëz të shqetësuar nga humbja e pushtetit.

“Nëse dikush ka guxim t’i shpallë shqiptarët e Maqedonisë më pak atdhetarë se shqiptarët e vendeve të tjera dhe këtë ta arsyetojë se ata janë më fetarë, është mirë ta bëjë këtë publikisht që t’i dëgjojmë të gjithë ato argumente se si bëhet kjo, si matet kjo. Ne e kemi analizuar mirë këtë çështje dhe gjykojmë se ne duhet ta pranojmë të tillë siç është shqiptari i Maqedonisë, pra edhe si konservator ose fetar, dhe me këtë shqiptar të arrijmë të prodhojmë agjendë kombëtare shqiptare. Ne e kuptojmë se ato akuza dhe shpifje bëhen nga ata që i frikohen humbjes së pushtetit dhe në këto korniza e kuptojmë shqetësimin e tyre, porse na vjen keq që deri tash kanë pasur rastin ta dëshmojnë veten me punë e të mos u vijë sot puna kur pushtetin e tyre duhet ta shpëtojnë duke i shpifur shqiptarët e tjerë. Nëse supozojmë se shqiptaria matet me një peshore dhe dëshmitë e peshores janë faktet, i bie që akuza për ne të jetë supozim ose, më saktë, shpifje. Sepse nuk ekziston as edhe një argument i vetëm se ne jemi filialë e dikujt. Ne jemi lëvizje shqiptare autoktone, autentike dhe autonome”, shprehet Afrim Gashi.

 

Plaforma “Ridefinimi”

Platforma politike “Ridefinimi” është një ofertë e dalur nga kjo parti dhe që i ofrohet qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve.  Aktivistë të kësaj partie në çdo cep të çdo qyteti janë të organizuar në shpërndarjen e ofertës së tyre.

Platforma “RIDEFINIMI” kërkon ridefinimin e Maqedonisë, në mënyrë që të bëhet shtet në të cilin të gjitha kombet do të vetërealizoheshin, ndërsa shteti do të ishte një storje e suksesshme e rajonit. Në të kundërtën, nëse edhe tash nuk pranohet kjo ofertë, ne druajmë se Maqedonia vetvetiu shkon drejt shpërbërjes, sepse sabotimi i ndërsjellë ndëretnik i maqedonasve dhe shqiptarëve, siç është sot, detyrimisht do të prodhojë një shtet të paralizuar. Që të përfundoj, jemi që të ruhet shteti unitar i Maqedonisë, por ai të mos jetë pronë ekskluzive e kombit maqedonas, por të jetë shtet i barabartë i të gjithëve që jetojnë në këtë shtet.

“RIDEFINIMI” nënkupton siç thuhet edhe një marrëveshje të re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, që do ta vendoste parimin e konsensusit të përgjithshëm në të gjitha nivelet e shtetbërjes, pra pa majorizim, do të mund të prodhonte një shtet stabil e të qëndrueshëm, koheziv dhe me identitet të fuqishëm shtetëror, i cili do t’i afirmonte edhe identitetet e veçanta etnike në vend.

Bilall Kasami thekson se platformat e tilla janë të hapura për plotësime dhe pasurime dhe se ai nuk heziton që të bëj thirrje për bashkëpunim dhe bashkëngjitje edhe të shumë intelektualëve, personaliteteve publike, afaristëve e deri tek qytetarët e zakonshëm që janë të zhgënjyer nga skena politike.

 

Përkujdesje serioze për diasporën

Diaspora është në fokusin e kësaj lëvizje dhe se drejtuesit e saj theksojnë se pas formimit të këshillave partiake nëpër komuna do të nis agjenda për vizitë dhe takime me mërgatën shqiptare.

Drejtuesit e Lëvizjes “BESA” këto ditë po qëndrojnë në Berlin të Gjermanisë, ndërsa karvani i tyre pritet të vazhdojë edhe në Austri, Itali dhe Danimarkë, por gjithë kjo agjendë do të realizohet pavarësisht zhvillimeve aktuale në Maqedoni.

“Ne mendojmë se deri tash mërgata jonë është konsideruar vetëm si burim i financave, pa i ofruar asgjë asaj. Madje, nuk u thuhet as edhe një faleminderit kur ata vijnë në Maqedoni. Bile, për ironi, ata trajtohen si mos më keq kur hyjnë në kufirin tonë. Për këtë arsye ne synojmë të prodhojmë politika që ia japin vendin e merituar mërgatës sonë, duke i krijuar kushte që ata mërgimtarë të mund të investojnë në vendlindje, të hapin vende pune, madje, ata që kanë mundësi, të kthehen, sepse jam i bindur se askush nga ata nuk do të shkonte të punojë në Zvicër a gjetiu sikur politikanët t’u kishin ofruar një jetë më dinjitoze në vendlindje”, thekson Afrim Gashi.

Grupimi i krerëve të kësaj partie thekson se janë të hapur që të pranojnë ide, propozime, sugjerime dhe oferta nga diaspora për fuqizimin e platformës politike.

“Qasja jonë ndaj mërgimtarëve do të jetë shumë e hapur dhe serioze, ne duam që ata të përfshihen në krijimin e politikave, në kritika dhe sugjerime e jo vetëm t’ua marrim paratë e të mos i pyesim për asgjë tjetër. Ne konsiderojmë se, duke jetuar në vende perëndimore, ata më së miri mund ta bëjnë dallimin se deri ku jemi ose, thënë më mirë, sa mbrapa kemi mbetur”, nënvizon Afrim Gashi.

 

Opsioni i një “Blloku” të tretë politik

Opsioni i formimit të një blloku të tretë politik midis BESËS, Lëvizjes për Reforma në PDSH të Ziadin Selës dhe RDK-së është një nga opsionet që po shqyrtohet nga këto tre subjekte të reja politike joparlamentare. Këto tre parti deri tani nuk kanë arritur gjuhën e përbashkët të bashkëveprimit, ndërsa ato kanë dhënë sinjale dhe kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe aleanca të reja të bashkëveprimit.

“Ne kemi takime me këto subjekte, diskutojmë mes vete dhe nuk hezitojmë edhe të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi nëse merremi vesh për një platformë të përbashkët për çështjen shqiptare në Maqedoni. Deri tash, mbase jo me qëllim, ne disi jemi lënë anash nga takimet formale, por shpresoj se në kohën që vijon do të shihemi gjithnjë e më shpesh bashkë me forcat progresive politike në Maqedoni”, thekson Gashi. Ai dhe bashkëpartiakët e tij nuk përjashtojnë mundësinë e një bashkërendimi politike me gjitha forcat progresive dhe që nuk janë pjesë e lojërave të pushtetit aktual.

 

Oferta për nxjerrjen e vendit nga kriza

Oferta e BESËS për tejkalimin e krizës tashmë është publikuar dhe promovuar në disa paraqitje të saj.

Të formohet një qeveri ekspertësh, që do ta realizojë regjistrimin e popullsisë, do t’i organizojë zgjedhjet dhe do të formojë një prokurori dhe gjykatë speciale për procesuimin e rasteve të përgjimeve dhe të rastit “Puç”.

Qeveria e ardhshme do ta hapë procesin e ridefinimit të gjithë sistemit politik dhe juridik të Maqedonisë, duke e vendosur shtetit mbi parimet e konsensusit maqedonaso-shqiptar, të mbështetur mbi liri, demokraci, barazi dhe drejtësi, e pastaj të zgjidhet problemi i emrit të shtetit me një emër që do ta reflektojë shoqërinë shumetnike të Maqedonisë,

Hapja e rrugës së integrimi të vendit në NATO dhe kështu të mundësohet edhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE.