Lajme

Betohen vullnetarët e Korpusit të Paqes, do të shërbejnë si mësues të gjuhës angleze

Këta vullnetarë do të shërbejnë në tri komuna të Kosovës: Shtime, Rahovec e Suharekë

Pas trajnimit që kanë mbajtur për 11 javë, janë betuar 35 vullnetarët që do të shërbejnë në Kosovë  për dy vjet në kuadër të programit arsimor, si mësues të gjuhës angleze. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, tha se kur ka ardhur në Kosovë dy vite më parë punën e ka filluar pikërisht me betimin e grupit të dytë të vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

Ndërsa Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, duke iu drejtuar vullnetarëve të Korpusit të Paqes, ndër tjera tha se ju do të punoni në shkolla dhe vise të ndryshme të Kosovës me nxënës të të gjitha komuniteteve. “Ju si qytetarë të vendit  më të përparuar, ku kultivohet ndjenja e tolerancës  dhe  respektohet diversiteti , duhet t’iu tregoni të rinjve se e ardhmja është në edukim të mirë”, theksoi ministri.

E Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Darlene Grant, tha se 35 vullnetarët e rinj do të ballafaqohen me sfida të reja dhe me një kulturë të re. Këta vullnetarë do të shërbejnë në tri komuna të Kosovës: Shtime, Rahovec e Suharekë.